75 Mall Live Search
19:39 / E Shtunë, 17 Janar 2026 / MSH1

Kurti u prit sot në Gjilan nga anëtari i lartë i PDK-së

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar familjen e Kadri Zekës, të cilët i ka falënderuar për mikpritjen.

Gjatë kësaj vizite, i pranishëm ishte edhe anëtari i PDK-së, Zenun Pajaziti.

Duke kujtuar demonstratat e 81-tës, Kurti u shpreh se vrasja e Kadriut, bashkë me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, nuk duhet të mbetet pa u ndriçuar.

“Sot, bëmë homazhe në Dubovik të Deçanit, ku u mirëpritëm nga e bija e Jusufit, Donika Gërvalla, Ministre në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës. Vizituam edhe familjen e Kadri Zekës ku na pritën Izmi Zeka, Zenun Pajaziti dhe familja e gjerë. Përveçse patriotë, ata ishin aktivistë, krijues, gazetarë dhe intelektualë. Me vrasjen e tyre nuk kemi humbur vetëm tre veprimtarë por poetë e shkrimtarë që kontribonin përmes ideve dhe pendës” shkroi Kurti.

Ky është postimi i plotë i tij:

Vetëm rreth nëntë muaj pas demonstratave të vitit 1981, të shtypura me dhunë dhe të pasuara nga përndjekje, arrestime arbitrare dhe burgosje politike, shërbimet sekrete jugosllave i vranë në Stuttgart të Gjermanisë, Jusuf Gërvallën me vëllain e tij Bardhoshin si dhe Kadri Zekën.

44 vite më parë, Jugosllavia e Serbia goditën pikërisht Kadriun, Jusufin dhe Bardhoshin, atëherë kur po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha organizimi për Republikën e Kosovës, për bashkim e barazi dhe për çlirimin e popullit tonë.

Sot, bëmë homazhe në Dubovik të Deçanit, ku u mirëpritëm nga e bija e Jusufit, Donika Gërvalla, Ministre në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës. Vizituam edhe familjen e Kadri Zekës ku na pritën Izmi Zeka, Zenun Pajaziti dhe familja e gjerë. Përveçse patriotë, ata ishin aktivistë, krijues, gazetarë dhe intelektualë. Me vrasjen e tyre nuk kemi humbur vetëm tre veprimtarë por poetë e shkrimtarë që kontribonin përmes ideve dhe pendës.

Vrasja e tyre nuk duhet të mbetet pa u ndriçuar. Zbardhja e së vërtetës edhe sa i përket urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve duhet të ndriçohen që të mundësohet drejtësia e ndëshkimi.

Lavdi Jusufit, Bardhoshit, Kadriut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!