“Kemi 150 vjet që duam ta blejnë Groenlandën”, Trump “bombardon” me tarifa 8 shtete europiane deri sa të arrihet marrëveshja
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, ka publikuar në platformën Truth Social një deklaratë të fortë, ku paralajmëron vendosjen e tarifave tregtare ndaj disa vendeve evropiane dhe kërkon hapur blerjen e Groenlandës nga Danimarka, duke e lidhur këtë çështje me sigurinë globale.
Sipas Trump, SHBA-të kanë “subvencionuar” për dekada me radhë Danimarkën, Bashkimin Europian dhe aleatët e tjerë, përmes mungesës së tarifave dhe ofrimit të mbrojtjes maksimale ushtarake. Ai argumenton se tashmë ka ardhur koha që Danimarka “të japë diçka mbrapsht”, pasi Groenlanda, sipas tij, është thelbësore për sigurinë kombëtare amerikane dhe paqen botërore. Trump pretendon se Kina dhe Rusia synojnë Groenlandën dhe se Danimarka nuk ka kapacitet real për ta mbrojtur atë.
“Duke filluar nga 1 shkurti 2026, të gjitha vendet e përmendura më sipër (Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda) do t’i nënshtrohen një tarife prej 10% për çdo dhe të gjitha mallrat që dërgohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 1 qershor 2026, kjo tarifë do të rritet në 25%”, tha Trump.
“Kjo tarifë do të jetë e detyrueshme dhe e pagueshme deri në momentin kur të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe tërësore të Groenlandës. Shtetet e Bashkuara janë përpjekur ta realizojnë këtë transaksion për më shumë se 150 vjet”.
Ai shprehet se SHBA-të janë të hapura për negociata, por paralajmëron se situata aktuale përbën rrezik serioz për sigurinë globale.

