Menopauza e hershme s’lidhet me rritje të rrezikut për diabetin
Menopauza e hershme është shoqëruar prej kohësh me disa probleme shëndetësore, si sëmundjet e zemrës, goditja në tru dhe humbja e densitetit kockor. Megjithatë, një studim i ri sugjeron se ajo nuk rrit rrezikun për zhvillimin e diabetit të tipit 2.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën “Menopause”, gratë që hyjnë në menopauzë para moshës 45-vjeç kanë pothuajse të njëjtin rrezik për diabet si ato që e përjetojnë menopauzën më vonë, në moshën e mesme shkruan burimi Health Day.
Studiuesit arritën në përfundimin se menopauza, në vetvete, nuk duket se shkakton ndryshime metabolike që favorizojnë rezistencën ndaj insulinës dhe zhvillimin e diabetit.
Studimi ndoqi për më shumë se 14 vjet rreth 147 mijë gra pjesëmarrëse në projektin kërkimor britanik “UK Biobank”.
Gjatë periudhës së ndjekjes, rreth 6,600 gra u diagnostikuan me diabet, por analiza tregoi se mosha e fillimit të menopauzës nuk kishte lidhje domethënëse me këtë rrezik.
Edhe pse fillimisht u vu re një diferencë e vogël mes grave me menopauzë të hershme dhe atyre me menopauzë të vonë, kjo u zhduk pasi u morën parasysh faktorë të tjerë ndikues.
Sipas studiuesve, faktorët që ndikojnë më fort në rrezikun për diabet janë obeziteti, pirja e duhanit, mungesa e konsumit të perimeve, marrja e lartë e kripës, si edhe përdorimi i disa medikamenteve për kolesterolin.
Ekspertët theksojnë se këto janë faktorë të modifikueshëm, ndryshe nga mosha e menopauzës.
Këto gjetje konsiderohen qetësuese, pasi sugjerojnë se gratë mund të ulin rrezikun për diabet duke u përqendruar te stili i jetesës dhe shëndeti kardiovaskular, pavarësisht se kur ndodh menopauza.

