Osmani reagon pas tragjedisë hekurudhore në Spanjë: Mendimet tona janë me familjet e viktimave
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj më të thella pas lajmit tragjik për aksidentin hekurudhor në jug të Spanjës, i cili ka shkaktuar humbjen e mbi 30 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tyre.
Përmes një postimi në platformën X, Osmani e ka cilësuar ngjarjen si tejet prekëse, duke u shprehur solidaritet me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, si dhe duke uruar shërim sa më të shpejtë për të gjithë të lënduarit.
“Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave dhe urimet për shërim të shpejtë për të plagosurit. Kosova qëndron pranë popullit të Spanjës në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar Osmani.
Aksidenti hekurudhor në jug të Spanjës ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike./IndeksOnline/

