75 Mall Live Search
22:30 / E Hënë, 19 Janar 2026 / L A

Manchester United interesohet për lojtarin e Barcelonës

Mesfushori i Barcelonës, Marc Casado, është lidhur në disa raste me një largim nga klubi, por duket se tani po bëhet gjithnjë e më i hapur ndaj idesë për t’u larguar. Disa skuadra të mëdha kanë shfaqur interes për 22-vjeçarin.

Ish-kapiteni i Barça Atlètic pati një sezon shpërthyes vitin e kaluar, duke u ftuar madje edhe në përfaqësuesen e Spanjës pas paraqitjeve mbresëlënëse ndaj Real Madridit dhe Bayern Munichut.

Megjithatë, pas rikthimit në formë të Frenkie de Jong në fillim të vitit 2025, ai ka humbur hapësirat te Hansi Flick. Deri tani këtë sezon ka luajtur 871 minuta në 19 ndeshje.

Më herët gjatë këtij sezoni, Casado vendosi t’i bashkohej perandorisë së Jorge Mendesit, duke ndërruar agjent, çka mund të jetë një sinjal se po mendon seriozisht për të ardhmen e tij.

Sipas Indykaila, Manchester United ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e Casados. Ndërkohë, “Mundo Deportivo” raporton se Flick ka qenë në bisedime me lojtarin, duke i shprehur besimin e tij dhe, në teori, produkti i La Masias ishte i vendosur ta përfundonte sezonin te Barcelona.

Megjithatë, ai ka qenë titullar vetëm në një nga pesë ndeshjet e Barcelonës pas pauzës dimërore, ndërsa si Manchester United ashtu edhe Wolves kanë kontaktuar Mendesin.

Në parim, Casado është më i prirur të transferohet jashtë Spanjës sesa të qëndrojë në La Liga. Sidoqoftë, Atletico Madridi është një nga klubet e interesuara dhe thuhet se lojtari po fillon ta pranojë idenë e një kalimi në “Metropolitano”.

“Los Colchoneros” po monitorojnë gjithashtu mesfushorin e Atalantës, Ederson dos Santos, si dhe Joao Gomes të Wolves. Pas katër largimeve nga skuadra, Diego Simeone ka theksuar nevojën për përforcime të tjera në afatin kalimtar të janarit, ndërsa largimi i Conor Gallagher e bën mesfushën një prioritet për klubin madrilen.