75 Mall Live Search
09:59 / E Martë, 20 Janar 2026 / S Z

Rinumërohen 688 nga 2,557 vendvotime, Elezi: Po zbatohen dy vendimet e KQZ-së për rinumërim

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ-ja ka marrë vendim.

Sipas të dhënave të deritashme nga KQZ-ja, rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 6 komuna.

“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e martë, 20 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 688 nga 2,557 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/51), Gjakovë (15/145), Gllogoc (7/73), Gjilan (13/130), Dragash (57/57), Istog (6/62), Kaçanik (45/45), Klinë (6/63), Fushë-Kosovë (6/62), Kamenicë (5/50), Mitrovicë e Jugut (10/102), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/85), Novobërdë (2/23), Obiliq (3/33), Rahovec (8/78), Pejë (14/139), Podujevë (11/110), Prishtinë (26/262), Prizren (235/235), Skënderaj (72/72), Shtime (34/34), Shtërpcë (2/17), Suharekë (9/89) dhe Ferizaj (63/152)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut). Por, pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit do të përfshihen edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave. 

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se nga pasditja e së hënës ka filluar të zbatohet edhe vendimi i dytë i KQZ-së për rinumërimin e 1,643 vendvotimeve tjera. 

Sipas tij, në përgjithësi do të rinumërohen të gjitha vendvotimet, 2.557 sosh, në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor, më 28 dhjetor.