75 Mall Live Search
13:27 / E Martë, 20 Janar 2026 / P M

​Rikthehen reduktimet e rrymës

Të martën, një pjesë e vendit u përball sërish me reduktime të rrymës. Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike – KESCO ka njoftuar se, reduktimet u rikthyen për shkak të kushteve të vështira dimërore.

“Kjo ka ardhur si pasojë e temperaturave të ulëta dhe rritjes së konsiderueshme të konsumit të energjisë elektrike, për shkak të përdorimit të shtuar për ngrohje”, thuhet në njoftimin e KESCO-s.

Aty, po ashtu thuhet se, sistemi elektroenergjetik i Kosovës po operon aktualisht në kushte të vështira, ndërsa prodhimi vendor i energjisë është i kufizuar, duke detyruar një rritje të nevojës për import. “Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment.”

KESCO ka theksuar se po shfrytëzon të gjitha mundësitë për sigurimin e energjisë, përfshirë kontratat afatgjata dhe blerjet në tregjet afatshkurtra, por në periudha të tilla, mbulimi i plotë i kërkesës është i pamundur. Për këtë arsye, kompania ka apeluar te konsumatorët për të kursyer energjinë elektrike, duke marrë masa konkrete për reduktimin e përdorimit të saj, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

“Reduktimet e energjisë janë të domosdoshme për të ruajtur stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe për të siguruar furnizim të vazhdueshëm me energji për të gjithë qytetarët. Kjo është një periudhë sfiduese, por ne mbetemi të angazhuar për të përmbushur obligimet tona ndaj konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Për të lehtësuar situatën, KESCO ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve dhe institucioneve për të kursyer energjinë dhe për të kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të sistemit. Kompania po punon gjithashtu në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet relevante për të minimizuar ndikimin e mundshëm të reduktimeve në jetën e përditshme të qytetarëve.

Mes tjerash, KESCO ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, derisa ka apeluar për kujdes të shtuar në përdorimin e energjisë elektrike.