75 Mall Live Search
11:01 / E Mërkurë, 21 Janar 2026 / H F

Protestat në Iran, 9 janari dita më e përgjakur. Qindra të vrarë në Teheran, përfshirë edhe fëmijë. BBC-i publikon fotot e viktimave

Qindra fotografi që zbulojnë fytyrat e personave të vrarë gjatë shtypjes së dhunshme të protestave antiqeveritare në Iran i janë dërguar BBC-së.

Fotografitë, tregojnë fytyra të përgjakura, të enjtura dhe të mavijosura të të paktën 326 viktimave – përfshirë 18 gra. Imazhet, të shfaqura në një morg në jug të Teheranit, janë një nga mënyrat e pakta përmes të cilave familjet kanë mundur të identifikojnë të afërmit e tyre të vdekur.

Shumë nga viktimat ishin aq të shpërfytyruara sa nuk mund të identifikoheshin, ndërsa 69 persona ishin etiketuar në persisht si John ose Jane Doe, duke sugjeruar se identiteti i tyre ishte i panjohur në momentin kur u bë fotografia. Vetëm 28 nga viktimat kishin etiketa me emra qartësisht të dukshëm në foto.

Etiketat te mbi 100 viktima, të cilave u ishte shënuar data e vdekjes, tregonin datën 9 janar – një nga netët më vdekjeprurëse për protestuesit në Teheran deri tani.

Rrugët e qytetit u përfshinë nga flakët gjatë përplasjeve me forcat e sigurisë, ndërsa protestuesit brohorisnin parulla kundër udhëheqësit suprem dhe Republikës Islamike. Kjo pasoi një thirrje për protesta mbarëkombëtare nga Reza Pahlavi, djali në mërgim i shahut të ndjerë.

Fotot e rrjedhura ofrojnë vetëm një pamje të vogël të mijëra personave që besohet se janë vrarë nga shteti iranian.

BBC-i ka ndjekur përhapjen e protestave në të gjithë Iranin që nga shpërthimi i tyre në fund të dhjetorit, por ndërprerja pothuajse totale e internetit e vendosur nga autoritetet e ka bërë jashtëzakonisht të vështirë dokumentimin e shkallës së dhunës qeveritare ndaj kundërshtarëve të saj.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka pranuar publikisht se janë vrarë disa mijëra persona, por ka fajësuar SHBA-në, Izraelin dhe ata që i ka përshkruar si “sedicionistë”.

Pavarësisht se bllokada e internetit ka hyrë në javën e tretë, një numër i vogël njerëzish kanë arritur të nxjerrin disa informacione jashtë.

Qindra imazhe nga afër të viktimave, të marra nga brenda Qendrës Mjeko-Ligjore Kahrizak, i janë dërguar BBC-së.

“Ne analizuam 392 fotografi të viktimave dhe arritëm të identifikojmë 326 persona – disa kishin disa foto të bëra nga kënde të ndryshme. Burimet pohuan se numri real i të vdekurve në morg arrinte në mijëra”, shkruan BBC-i.

Një burim, të cilin nuk po identifikohet për arsye sigurie, tha se nuk ishte i përgatitur për nivelin e shkatërrimit që hasi brenda kompleksit të morgut dhe se pa viktima që varionin nga 12-13 vjeç deri te persona 60-70 vjeç. “Ishte thjesht tepër,” tha ai.

Mes kaosit brenda morgut, anëtarë të familjeve dhe miq ishin grumbulluar rreth një ekrani. Ata përpiqeshin të identifikonin të afërmit e tyre ndërsa qindra imazhe të të vdekurve kalonin me shpejtësi në ekran.

Slajdi zgjati për orë të tëra, thanë ata, duke shtuar se dëmtimet e shumë viktimave ishin aq të rënda sa nuk mund të identifikoheshin. Fytyra e një burri ishte aq e enjtur sa sytë mezi i dukeshin. Një burrë tjetër kishte ende një tub frymëmarrjeje në gojë, duke sugjeruar se kishte vdekur pasi kishte marrë trajtim mjekësor.

Disa viktima ishin aq rëndë të plagosur sa familjet e tyre kërkuan që fotot të shiheshin sërish dhe të zmadhoheshin për t’u siguruar se ishte vërtet personi i tyre. Në raste të tjera, njerëzit i njohën menjëherë të afërmit e tyre dhe u panë duke u rrëzuar përtokë, duke bërtitur.

Shumë fotografi tregonin qese trupash të pazbërthyera me letra të vendosura pranë fytyrave, që i identifikonin me emër, numër identiteti ose datë vdekjeje. Në disa raste, u tha se i vetmi identifikues ishte një kartë bankare e vendosur mbi qesen e trupit – pasuria e fundit e mbetur e viktimës.

BBC-i ka verifikuar veçmas video nga i njëjti morg që demonstrojnë dhunën e ushtruar ndaj protestuesve. Njëra tregon trupin e asaj që duket të jetë një fëmijë, ndërsa një tjetër tregon një burrë me një plagë të qartë nga arma e zjarrit në mes të kokës. Të dyja videot janë tepër tronditëse për t’u shfaqur.

Disa iranianë kanë postuar emrat e viktimave të vrara nga forcat e sigurisë kur kanë arritur të lidhen me internetin përmes Starlink-ut ose edhe duke përdorur rrjete nga vendet fqinje, megjithëse këto mundësi janë jashtëzakonisht të rralla.

BBC-i Verify ka ndjekur përhapjen e protestave antiqeveritare në 71 qytete dhe qyteza në Iran që nga shpërthimi i tyre më 28 dhjetor, përmes videove të verifikuara, ndonëse numri real i zonave ku kanë ndodhur demonstrata ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

Imazhet e pakta që njerëzit kanë arritur të ngarkojnë përmes Starlink-ut tregojnë makina të djegura të lëna në rrugë, ndërsa video të verifikuara regjistrojnë breshëri të shtënash me armë zjarri rreth Teheranit gjatë protestave.

Bllokada e internetit e ka bërë jashtëzakonisht të vështirë dokumentimin e plotë të numrit të viktimave nga protestat. Megjithatë, Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA (HRANA) e ka vendosur vlerësimin aktual në mbi 4,000 të vdekur.