Shoferët për “ngutë” dhe shiriti emergjent, 200 euro gjobë +3 muaj pa patentë
Për shoferët që kalojnë ose shfrytëzojnë shiritin emergjent pa një arsye reale, pason ndëshkimi i ashpër.
IndeksOnline ka dalë në terren me Policinë e Kosovës për të përcjellë nga afër kontrollet dhe monitorimin e trafikut, duke parë se si zbatohen rregullat dhe si reagojnë shoferët.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Vedat Zuka, ka bërë apel të qartë se ky shirit duhet të përdoret vetëm nga automjetet e autorizuara dhe vetëm në situata emergjente, si për policinë, ndihmën e shpejtë dhe zjarrfikësit.
Ai theksoi se çdo abuzim me shiritin emergjent konsiderohet shkelje serioze e ligjit dhe rrezikon sigurinë e të tjerëve në rrugë.
Sipas Zukës, megjithatë, disa shoferë vazhdojnë të tejkalojnë kolonat duke përdorur shiritin pa arsye të justifikuar, duke shkelur rregullat dhe duke krijuar rrezik për trafikun. Për këto shkelje, ligji parashikon gjoba deri në 200 euro dhe ndalesë për drejtim të automjetit për 3 muaj në territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa për ligjvënësit me patentë ndërkombëtare, masa ndëshkuese është e dyfishuar.
Rreshteri Zuka vuri gjithashtu në dukje se vendosja e kamerave të sigurisë në kryeqytet ka pasur efekt shumë pozitiv, duke lehtësuar identifikimin e shkelësve dhe duke rritur respektimin e rregullave për shiritin emergjent. Ai apelon te qytetarët që të respektojnë këto rregulla, për të shmangur gjoba dhe për të ruajtur sigurinë në trafik.
Video:

