Sinani çmon lart legjislacionin në DASH që do të trajtojë diskriminimin e shqiptarëve në Luginë
Kongresisti amerikan, Keith Self, kryetar për Evropën, ka ngritur shqetësime në lidhje me diskriminimin me të cilin përballen shqiptarët në Luginë.
Përpara kongresistëve, ai përmendi diskriminimin ditor që u bëhet shqiptarëve në Serbi, përfshirë heqjen e të drejtës së votës, kufizimet gjuhësore, barrierat arsimore, neglizhencën ekonomike dhe kërcënimin institucional, transmeton IndeksOnline.
“Shqiptarët për Amerikën punuan ngushtë me zyrat e kongresit për të sjellë përpara këto shqetësime, duke u siguruar që ato të njiheshin zyrtarisht në nivelet më të larta të politikë-bërjes amerikane”, tha Self.
Me këtë rast, në Kongres u propozua legjislacioni që udhëzon Departamentin e Shtetit të vlerësojë diskriminimin e shqiptarëve atje.
Këto zhvillime, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, i ka cilësuar si tejet pozitive dhe jo të rastësishme.
Në një prononcim për IndeksOnline, kryetarja e Preshevës ka thënë se diskutimi i djeshëm në Kongres amerikan ishte produkt i një angazhimi shumëvjeçar dhe lobimit të vazhdueshëm për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
“Për vite me radhë, kjo çështje është adresuar në Kongresin dhe Senatin Amerikan, në Departamentin e Shtetit, si dhe paralelisht në Parlamentin Europian, Këshillin e Evropës, Komisionin Europian dhe Bundestagun gjerman. Ky proces ka qenë i mbështetur financiarisht dhe politikisht nga Republika e Kosovës, e cila e ka trajtuar Luginën jo vetëm si çështje emocionale, por si pjesë të politikës së saj shtetërore. Në rrafshin diplomatik, këtij angazhimi i është bashkuar edhe Republika e Shqipërisë, përmes mbështetjes dhe sensibilizimit diplomatik në instanca të ndryshme ndërkombëtare” ka thënë Sinani.
Hapi i djeshëm në Kongres, sipas Sinanit, është hapi më i fuqishëm i ndërmarrë në këtë drejtim, deri më tani.
“Legjislacioni i prezantuar dhe i miratuar në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan përbën deri më tani hapin më të fuqishëm politik dhe institucional, sepse e shndërron çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginë në qëndrim zyrtar të Shteteve të Bashkuara, me implikime të drejtpërdrejta politike dhe diplomatike për Serbinë.
Në këtë proces, duhet theksuar qartë se pa shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa lobimin e organizuar shqiptaro-amerikan dhe pa bashkatdhetarët tanë që janë të integruar në institucionet më të larta politike në SHBA, nuk do të kishim mundur të arrinim deri në këtë pikë. Roli i Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i strukturave të tjera lobuese dhe i individëve me ndikim ka qenë vendimtar në mbajtjen e kësaj çështjeje gjallë në agjendën amerikane” deklaroi ajo.
Sipas Sinanit, ndryshimi faktik i situatës në Luginë do të fillojë atëherë kur qëndrimet politike të gjejnë veprim real dhe të përkthehen në përmirësim të jetës së shqiptarëve në Luginë.
Kjo arrihet me “ndaljen e praktikave diskriminuese, në hapjen e perspektivës për të rinjtë dhe në krijimin e kushteve që njerëzit të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në vendlindje”.
“Diskriminimi ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk ka filluar dje, por daton që nga vitet 1989–1990, në kohën kur nisi shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Që në atë periudhë u vendosën themelet e përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga jeta publike dhe institucionale” u shpreh Sinani, duke thënë se fillimisht u ndërmorën masa në arsimin, punësimin dhe perspektivën e të rinjve, e që vijoi me dislokimin e shqiptarëve në Luginë dhe spastrimin e heshtur etnik.
“Shkeljet ndaj shqiptarëve të Luginës kanë qenë të vazhdueshme, sistematike dhe të qëllimshme, jo incidente të izoluara. Në të gjitha këto faza, shqiptarët e Luginës kanë qenë aktivë dhe të organizuar politikisht… Për këtë arsye, ne vlerësojmë se faktori ndërkombëtar do të duhej të kishte reaguar dhe sanksionuar këto veprime shumë më herët. Megjithatë, ajo që ka rëndësi sot është që ky proces më në fund ka nisur. Tani duhet të punojmë edhe më shumë, më të koordinuar dhe më këmbëngulës, që ky angazhim ndërkombëtar të përkthehet në ndryshime reale dhe pozitive në të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në rritjen e mirëqenies së tyre dhe në ndalimin e politikave diskriminuese” shtoi Sinani.
Ajo u shpreh se, nëpërmjet komunikimit institucional dhe përmes përfaqësuesve të Luginës dhe diasporës shqiptare në SHBA, kongresisti Self u njoftua për situatën në Luginë.
“Nga komunikimi i zhvilluar, është e qartë se kongresmeni Self e njeh mirë realitetin në terren dhe e trajton çështjen e shqiptarëve të Luginës si problem serioz të të drejtave të njeriut dhe të stabilitetit rajonal. Në mënyrë të veçantë, ai ka qenë i qartë në qëndrimin e tij lidhur me pasivizimin e adresave, duke e cilësuar këtë praktikë si të papranueshme dhe si mekanizëm që prodhon përjashtim administrativ dhe rrezik për destabilizim afatgjatë.
Ai i sheh shqiptarët e Luginës si komunitet autokton, që jeton në trojet e veta dhe që përballet me politika sistematike diskriminuese, jo si çështje periferike apo thjesht administrative. Ky vlerësim realist ka qenë baza mbi të cilën është ndërtuar edhe iniciativa ligjore në Kongres, e cila sot po shndërrohet në qëndrim zyrtar të Shteteve të Bashkuara” tha Sinani.
Kryetarja e Preshevës ka vlerësuar se niveli i seriozitetit dhe mirëkuptimi dëshmon se puna e vazhdueshme informuese dhe lobuese e ka vendosur çështjen e shqiptarëve të Luginës aty ku i takon: në agjendën politike të një prej aleatëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Në këtë mes, Sinani çmon lart bashkëpunimin me mërgatën në SHBA, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e çështjeve kombëtare, sidomos nëpërmjet integrimit në organizata mbarë-shqiptare.
“Pikërisht përmes këtij integrimi në struktura më të gjera shqiptaro-amerikane, shqiptarët e Luginës kanë luajtur rol aktiv në internacionalizimin e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke ndihmuar në ndërtimin e kontakteve, në sensibilizimin e vendimmarrësve amerikanë dhe në mbajtjen e kësaj teme të pranishme në agjendën politike dhe publike në SHBA” deklaroi Sinani.
Ajo shtoi se shqiptarët e Luginës, qoftë në Luginë, Evropë apo SHBA, kanë dhënë kontribut të madh në të gjitha çështjet kombëtare shqiptare, që nga shtet-formimi dhe shtet-forcimi i Republikës së Shqipërisë, e deri te të gjitha fazat e shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të Republikës së Kosovës.
Pritet që rezultatet e legjislacionit të djeshëm të ndjehen edhe praktikisht te shqiptarët e Luginës, që ka kohë që apelojnë për diskriminimin që po iu bëhet ndër vite./IndeksOnline/

