75 Mall Live Search
16:50 / E Enjte, 22 Janar 2026 / F.R

Princi Harry thotë se jeta mbretërore e Meghan Markle ishte ‘mjerim absolut’

Princi Harry u shfaq i emocionuar në Gjykatën e Lartë në Londër, ku dëshmoi në procesin e tij kundër Associated Newspapers Limited, kompania botuese e Daily Mail dhe Mail on Sunday, të cilën e akuzon për mbledhje të paligjshme informacioni dhe shkelje të privatësisë.

Gjatë seancës, 41 vjeçari u pyet si nga avokatët e palës kundërshtare ashtu edhe nga avokati i tij, David Sherborne. Në fund të pyetjeve, kur u pyet si po e përjeton këtë proces, Harry pranoi se rikthimi në këto çështje i ngjan një përjetimi traumatik që përsëritet. Ai u shpreh se gjithçka që kishte kërkuar ishte një ndjesë dhe përgjegjësi, por sipas tij, po detyrohen të kalojnë sërish nëpër të njëjtën rrugë.

Në një nga momentet më të forta të dëshmisë, ai deklaroi se ndërsa vazhdojnë sulmet dhe ndërhyrjet, gruaja e tij, Meghan Markle, e ka përjetuar jetën si anëtare e familjes mbretërore si “mjerim të plotë”. Harry e tha këtë duke luftuar lotët, duke nënvizuar se për të është e papranueshme ideja që jeta e tij të trajtohet si “pronë publike” dhe të komercializohet.

Gjatë dëshmisë, princi u ndal edhe te pasojat që ndërhyrja e mediave ka pasur në marrëdhënie të mëparshme, duke përmendur se presioni i vazhdueshëm i shtypit kishte ndikuar negativisht edhe tek ish partnerja e tij, Chelsy Davy. Në një tjetër përballje në sallë, kur u hodh dyshimi se disa detaje personale mund të ishin bërë publike vetëm nëse i kishte dhënë dikush nga rrethi i tij, Harry këmbënguli se informacioni mund të ishte marrë nga komunikime private, si mesazhe zanore, dhe vuri në pikëpyetje pretendimin se “tre të panjohur” mund të jenë burim i besueshëm për intimitetin e tij.

Pas përfundimit të dëshmisë, pala e Harryt e cilësoi ballafaqimin me pyetje si të dobët në thelb dhe pretendoi se shumë pjesë të çështjes nuk u trajtuan në mënyrë të plotë. Vetë Harry, në një reagim të shkurtër, la të kuptohet se fokusi, sipas tij, duhet të jetë te arsyeja pse kjo betejë ligjore ekziston.

Në prapaskenë, një tjetër detaj që u komentua ishte fakti se Harry u thirr për të dëshmuar më herët nga sa ishte parashikuar. Njerëz pranë tij e interpretuan ndryshimin e orarit si një lëvizje taktike, por theksuan se ai është përgatitur prej vitesh për këtë moment.