Rrokaqiej futuristë, turizëm dhe vende pune për të gjithë, kjo është “Gaza e Re” e Trump
Pas dy vitesh bombardimi të Gazës dhe miratimit të “Planit 20-Pikësh”, Jared Kushner tani ka bërë thirrje për “fazën e tretë”: paqe, siguri, deradikalizim, tregje të lira dhe më e rëndësishmja rindërtim.
Ky është i ashtuquajturi “Projekti Sunrise”, të cilin dhëndri i Donald Trump e përshkroi nga skena e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Bordit të Paqes për Gazën, pwrcjell A2 CNN.

Resorte buzë detit, trena me shpejtësi të lartë, rrjete të zgjuara elektrike të mundësuara nga inteligjenca artificiale, nga një rrip toke i masakruar, Gaza e Trump dhe Kushner do të transformohej në një enklavë luksoze në Mesdhe. Një “pronë e patundshme”, siç e quante vetë presidenti amerikan, që do të lakmohej nga njerëzit më të pasur në tokë.
Plani gjithëpërfshirës i rindërtimit do të kryhet në katër faza kryesore. Fillimisht, pjesë të mëdha të Rafah dhe Khan Younis do të rindërtohen me ndërtimin e zonave të mëdha banesore dhe industriale duke përfshirë qendrat e të dhënave, parqeve dhe objekteve sportive, autostradave dhe rrjeteve hekurudhore. Në dy fazat pasuese, ndërtimi i dy qyteteve do të përfundojë përpara se të fillojë rindërtimi i Qytetit të Gazës në fazën e katërt.

Kushner dha gjithashtu një sërë shifrash për Gazën e së ardhmes. Në Rafah, për shembull, do të ndërtohen mbi 100,000 shtëpi, 200 shkolla, 180 qendra kulturore dhe fetare, dhe më shumë se 75 objekte mjekësore dhe spitale. I gjithë brezi bregdetar, i theksuar me rozë në hartën e treguar nga Kushner, do të shohë ngritjen e afërsisht 180 kullave për “turizmin bregdetar “.

Rrokaqiejt dhe objektet më të fundit do të kenë restorante, hotele dhe qendra rekreative, duke e transformuar Gazën në një Las Vegas të Lindjes së Mesme. Në jug, pranë kufirit me Egjiptin, kalimi i Rafah do të jetë i rrethuar nga një aeroport, një port dhe dy qendra gjigante logjistike për ruajtjen dhe transportin e mallrave. Qëllimi është që Rripi të bëhet gjithashtu një qendër kyçe për tregtinë, energjinë dhe infrastrukturën digjitale.

“Në Lindjen e Mesme, ata ndërtojnë qytete si ky, dy, tre milionë njerëz në tre vjet, kështu që gjëra të tilla janë shumë të realizueshme nëse ne angazhohemi t’i bëjmë ato realitet”, tha Kushner nga forumi në Davos.

E ardhmja, të paktën ajo e parashikuar nga Shtëpia e Bardhë, është rozë. Një PBB prej 10 miliardë dollarësh deri në vitin 2035, 500,000 vende të reja pune të krijuara nga 25 miliardë dollarë investime në shërbime, 3 miliardë dollarë në zona tregtare dhe gati 2 miliardë dollarë në shkolla dhe trajnime të fuqisë punëtore.
Hapat e parë duhet të jenë të kujdesshëm, me krijimin e një zone ekonomike speciale dhe përmirësimin e kushteve të banimit përmes strehimeve të reja të përkohshme, në pritje që ndërtimi i Gazës së Re të marrë realisht hov./Indeksonline/

