Hoti: Presim që pala serbe të vijë me hapa konkretë për personat e zhdukur
Andin Hoti, kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime për personat e zhdukur, ka dhënë detaje pas raundit të sotëm të bisedimeve Kosovë-Serbi.
Hoti njoftoi se sot është mbajtur takimi i parë themelues i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, pas gati tre vitesh përpjekje dhe refuzimesh nga pala serbe për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e miratuar në Bruksel.
Në një postim në Facebook, Hoti theksoi se kërkesat e Kosovës kanë qenë të qarta dhe të vazhdueshme, duke përfshirë:
- zbatimin e plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë qasjen në arkivat e klasifikuara;
- trajtimin e kërkesës zyrtare drejtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me komandën e shpërbërë të Brigadës së Motorizuar 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave;
- përshpejtimin e punës në lokacionet prioritare, veçanërisht në Batajnicë;
- përcaktimin e kornizës së funksionimit të Grupit Punues, të ndërmjetësuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC), në përputhje me Deklaratën dhe realitetin aktual.
Takimi u zhvillua nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit të Përbashkët.
Hoti tha se pala kosovare mirëpret takimin e radhës, por me pritjen e qartë që Serbia të vijë me angazhim real dhe rezultate konkrete, në funksion të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur./IndeksOnline/

