75 Mall Live Search
16:13 / E Shtunë, 24 Janar 2026 / Gj Sh

Ramadani konfirmon tri mungesa të mëdha për finalen e nesërme, por ka një arsye të veçantë për fitore

Nesër do të zhvillohet Superkupa e Kosovës në futboll.

Kampioni i Superligës, Drita do të përballet me fituesin e Kupës, skuadrën e Prishtinës, në stadiumin ”Mardan Sports Complex” në Antalia të Turqisë.

Në një intervistë për IndeksOnline, trajneri i Dritës, Zekrija Ramadani, para kësaj finale ka deklaruar se do të jetë një ndeshje e veçantë, pasi pikërisht në këtë stadium, pesë vite më parë sa ishte trajner i Prishtinës, e mposhti Dritën në finalen e Superkupës.

”Çdo ndeshje që luhet për trofe ka emocion të veçantë dhe kur rival e ke Prishtinën, kjo e bën finalen edhe më speciale. Për mua personalisht, kjo ndeshje ka një emocion të veçantë, sepse para pesë vitesh, në të njëjtin stadium,duke qenë trajner i Prishtinës fituam Superkupën përballë Dritës, ndërsa tani situata është e kundërt. Pikërisht për këtë arsye, për mua kjo është një ndeshje me emocione të veçanta.”, ka deklaruar Ramadani për IndeksOnline.

Ai shtoi se Drita do të jetë nesër pa treshen Mesa, Broja dhe Manaj, por thotë se gjatë fazës përgatitore, skuadra ka punuar mirë, dhe se do të nxjerr në fushë ekipin më të mirë, për të fituar Superkupën.

”Në këtë finale do të na mungojnë: Mesa, Broja dhe Manaj. Ekipi ka punuar mirë gjatë këtyre ditëve, por dje dhe sot kushtet klimatike kanë qenë mjaft të vështira dhe e kanë vështirësuar pak formën e futbollistëve. Megjithatë, kam bindjen e plotë se nesër do ta nxjerrim në fushë ekipin më të mirë për ta fituar Superkupën.”, ka deklaruar Zekrija Ramadani për IndeksOnline.