Shala: Ka tentativa për sabotim të reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), e cila u mbajt ditë më parë, pati shumë diskutime, e gjithçka sillej rreth çështjes së certifikimit të rezultatit të zgjedhjes së një anëtareje të re të këtij këshilli, proces që sipas hulumtuesit të lartë të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, është shndërruar në objekt sabotimi të qëllimshëm ndaj reformës në drejtësi.
Shala për Ekonomia Online tha se zhvillimet e fundit lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial dhe me efektet që ajo ka filluar t’i japë në praktikë.“Fillimisht duhet të theksohet se gjithçka lidhet me reformën në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe me fillimin e dhënies së efekteve të saj. Sabotimet për këtë reformë kanë filluar kohë më parë, qysh prej momentit kur, përmes një procesi meritor dhe transparent, është zgjedhur një anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës, e më pas ka pasur tentativa të ndryshme brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës që të anulohet ai proces, përkundër faktit se procedura administrative dhe shqyrtimi i ankesës së kundërkandidates kanë përfunduar”, ka thënë Shala.
Sipas tij, edhe në mbledhjen e fundit është vërejtur një përpjekje për të mos lejuar zbatimin e vendimit të ligjshëm.“Tash, në mbledhjen në fjalë, kishim një propozim që të certifikohet rezultati i datës 1 nëntor 2025 dhe që kandidatja të fillojë punën si anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përkundër faktit që në rastin konkret ishin pesë anëtarë, që është kuorumi i nevojshëm sipas ligjit, dhe pro ishin tre, që është vendimmarrja e mjaftueshme, numri i nevojshëm për të marrë një vendim brenda Këshillit, duke përdorur interpretime të gabuara të Zyrës Ligjore të Sekretariatit, zotëri Agron Qalaj konstatoi se ky vendim nuk është i miratuar, ndërkohë që në fakt vendimi është i miratuar dhe thjesht do të duhej të konstatohej si i tillë”, ka theksuar Shala.
Ai tha se një veprim i tillë paraqet rikthim të praktikave të vjetra dhe tentativë për të bllokuar reformën.“Kjo është një mendësi e vjetër e veprimit dhe thjesht është një tentativë për të sabotuar efektet e reformës së Këshillit Prokurorial të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Shala ka kërkuar zbatim të ligjit dhe respektim të procedurave të miratuara.“Duhet të bëhet zbatimi i ligjit. Në rastin konkret kemi pasur një propozim i cili ka marrë votat e nevojshme dhe thjesht duhet të bëhet certifikimi i zonjës Bajrami dhe ajo të fillojë punën në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, ka shtuar Shala.
Më 20 janar, e para për vitin 2026 ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Prokruorial të Kosovës (KPK), pasi nuk kaluan pikat e rendit të ditës që ishin paraparë për këtë mbledhje, e ku çështja e vendosjes në rend dite e certifikimit të rezultatit të procesit zgjedhor për anëtarin e KPK-së, nxit debat në këtë mbledhje.
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se çdo vendimmarrje do t’i nënshtrohet procedurave të parashikuara me ligj.
“Vendos që këtë propozim ta vendos si pikë të tretë të rendit të ditës. Ka për qëllim që Këshilli të ketë mundësinë ta trajtojë këtë çështje në mënyrë të hapur dhe transparente. Po ashtu theksoj qartë se çdo vendimmarrje do t’i nënshtrohet procedurave të parashikuara me ligj dhe nuk mund të prodhojë efekt juridik jashtë kornizave ligjore. Propozimi i tre anëtarëve futet në rendin e ditës si pikë e tretë e rendit të ditës”, tha Qalaj.
Ndërsa anëtari Visar Krasniqi teksa kërkoi që të futej kërkesa e tij në rend të ditës, iu drejtua Qalajt me pretendimin se ka shkuar në mbledhje me idenë që ta bllokojë Këshillin.
“Tre anëtarë kanë kërkuar që ta vendosni si rend të parë në rend të ditës. Sa anëtarë i ke, pesë janë. Keni ardhur me këtë ide që me blloku Këshillin, nuk është e re, diçka për mua kjo është e pritshme”, tha ai.

