Çfarë është virusi Nipah dhe cilat janë simptomat? India në përpjekje për të frenuar shpërthimin
Autoritetet shëndetësore në Indi po ndërmarrin masa për të frenuar një shpërthim të virusit Nipah në shtetin lindor të Bengalit Perëndimor, pasi janë konfirmuar pesë raste, përfshirë edhe personel mjekësor. Dhjetëra persona janë vendosur në karantinë, ndërsa pacientët po trajtohen në spitale në dhe përreth Kolkatës.
Virusi Nipah është një patogjen me rrezik të lartë, i listuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), dhe karakterizohet nga shkallë e lartë vdekshmërie.
Aktualisht nuk ka vaksinë dhe as trajtim specifik për këtë infeksion, shkruan Indepedent.uk
Simptomat
Infeksioni zakonisht nis me simptoma të përgjithshme, të ngjashme me gripin, si:
temperaturë,
dhimbje koke,
dhimbje muskujsh,
lodhje.
Në disa raste shfaqen edhe probleme respiratore, përfshirë kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Komplikimi më i rëndë është encefaliti (inflamacioni i trurit), i cili mund të shkaktojë konfuzion, kriza epileptike, humbje të vetëdijes apo komë. Periudha e inkubacionit varion nga 4 deri në 21 ditë.
Sa vdekjeprurës është?
Sipas të dhënave ndërkombëtare, shkalla e vdekshmërisë nga virusi Nipah varion nga 40 deri në 75 për qind, në varësi të shpërthimit dhe variantit të virusit. Disa të mbijetuar mund të përjetojnë pasoja afatgjata neurologjike.
Si përhapet?
Virusi Nipah transmetohet nga kafshët te njerëzit dhe nga njeriu te njeriu. Rezervuari kryesor janë lakuriqët e natës që ushqehen me fruta. Infeksioni mund të ndodhë përmes konsumimit të ushqimeve të kontaminuara ose kontaktit të drejtpërdrejtë me persona të infektuar dhe lëngjet e tyre trupore.
Ku është shfaqur më parë?
Virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1999 në Malajzi dhe Singapor. Që atëherë, raste janë raportuar kryesisht në Indi dhe Bangladesh, me shpërthime të përsëritura, veçanërisht në zonat rurale.
Parandalimi
Meqë nuk ka vaksinë, parandalimi bazohet në:
shmangien e konsumit të frutave të kontaminuara,
higjienë të shtuar,
evitimin e kontaktit të drejtpërdrejtë me persona të infektuar,
masa mbrojtëse për personelin shëndetësor.
OBSH e konsideron virusin Nipah si një kërcënim prioritar dhe thekson nevojën për monitorim të vazhdueshëm dhe reagim të shpejtë shëndetësor.

