75 Mall Live Search
22:03 / E Martë, 27 Janar 2026 / B XH

Arrestohet në Prishtinë shtetasi i huaj, i kërkuari nga INTERPOL-i gjerman për trafik droge

Policia e Kosovës, përkatësisht zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor-ILECU, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, kanë realizuar arrestimin e një personi, shtetas i huaj.

Sipas Policisë, i dyshuari ishte në kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, bazuar në urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kompetente të shtetit të Gjermanisë, për veprën penale “Trafikimi i drogave narkotike në mënyrë të përsëritur dhe fitimprurëse”, vepër kjo e sanksionuar sipas legjislacionit penal gjerman.

“Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, me qëllim të vazhdimit të procedurave të mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Policia.

Ky institucion tha se mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe veprave të rënda penale.