Sekuestrohen 4 telefona dhe 3 pako me marihuanë – parandalohet kontrabanda në burgun e Mitrovicës
Në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, gjatë kontrollit të perimetrit të jashtëm nga zyrtarët korrektues, janë zbuluar dhe konfiskuar tri pako me kontrabandë.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, gjatë kontrollit janë gjetur dy telefona mobilë “iPhone”, dy telefona “Mini”, tri paketime me marihuanë si dhe tri koka të adaptuara për mbushje.
“Dyshohet se kontrabanda është hedhur nga jashtë perimetrit të Qendrës së Paraburgimit Mitrovicë. Lidhur me rastin është njoftuar policia, ndërsa Qendra e Paraburgimit Mitrovicë ka nisur hetimet e brendshme”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, SHKK-ja pohon se do të vazhdojë me kontrolle të vazhdueshme dhe zbatim rigoroz të masave të sigurisë, me qëllim parandalimin e veprimeve të kundërligjshme dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë në institucionet korrektuese.

