Gjykata Supreme liron nga paraburgimi A.K., i dyshuar për marrje ryshfeti
Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të të pandehurit A.K., i dyshuar për veprën penale të marrjes së ryshfetit, duke vendosur lirimin e tij nga masa e paraburgimit dhe mbrojtjen në liri.
Kolegji Penal i Gjykatës Supreme ka ndryshuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prizren dhe të Gjykatës së Apelit, me arsyetimin se gjykatat e instancave më të ulëta nuk kanë dhënë arsye të qarta, konkrete dhe të pranueshme ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Njoftimi i plotë:
Aprovohet kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e A.K., i dyshuar për marrje të ryshfetit, i ndërpritet masa e paraburgimit – Kolegji i Gjykatës Supreme, e ka aprovuar si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të të pandehurit A.K., i dyshuar për marrje të ryshfetit, dhe të njëjtin e ka liruar nga masa e paraburgimit për t’u mbrojtur në liri.
Kolegji penal ka ndryshuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës, pasi sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, gjykatat e instancave më të ulëta, nuk kanë dhënë arsye të qarta, konkrete dhe të pranueshme ligjore, për caktimin e masës së paraburgimit. Kjo masë është shqiptuar duke u mjaftuar vetëm me parafrazimin e dispozitave ligjore, pa u vërtetuar ekzistenca e bazave ligjore, të parapara me Kodin e Procedurës Penale.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme qëndron fakti se hetimet janë në fazën fillestare, mirëpo i pandehuri është suspenduar nga puna dhe nuk ka mundësi të ndikimit në zhvillimin e hetimeve, të ndikojë në organet shtetërore të cilat zhvillojnë hetimet apo ta përsëris veprën.
Për rrjedhojë, Gjykata Supreme ka konstatuar se nuk ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurit A.K..

