75 Mall Live Search
13:22 / E Mërkurë, 28 Janar 2026 / H F

Luizi në “Ferma Vip” këtë vit? Këngëtari flet përmes këtij postimi

Fituesi i edicionit të dytë të “Big Brother VIP Albania”, Luiz Ejlli, ka thyer heshtjen pas lajmeve që po qarkullojnë së fundmi në mediat rozë. Sipas thashethemeve që pushtuan rrjetin, Luizi përflitej se do të jetë pjesë e formatit “Ferma VIP 3”, ku i atribuohej roli i “kryeplakut”.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, këngëtari ka reaguar me dozën e tij të njohur të ironisë. Ai u është drejtuar portaleve, gazetarëve apo siç i quan ai “astrologëve”, të cilët sipas tij, çdo vit bëjnë parashikime të ndryshme për pozicionet e tij nëpër formate televizive.

“Edhe këtë vit si çdo vit, ‘astrologët’ thonë që do të jem opinionist, kryeplak, bajraktar, kryetar komune etj. E doni përgjigjen? Apo t’i lë edhe pak meqë është fund muaji dhe kanë detyrime, qera dhe rroga për të paguar?”, shkroi ai.

Kujtojmë se edhe vitin e kaluar pati të njëjtat thashetheme rreth përfshirjes së tij në formatin “Ferma VIP”, por që në fund rezultuan të pavërteta.

Me këtë reagim, Luizi duket se po i lë sërish në pritje ndjekësit, pa dhënë një përgjigje përfundimtare “Jo”, por duke thumbuar ata që përdorin emrin e tij për klikime.