Operacioni ndërkombëtar me EUROPOL-in, ky është kosovari i arrestuar i dyshuar për krim financiar
Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion policor më 22 janar të këtij viti, me qëllim të verifikimit, identifikimit, dhe sekuestrimit të provave relevante, në kuadër të një hetimi të përbashkët dhe të koordinuar nga EUROPOL-i dhe Prokuroria Distriktuale e Republikës së Katanias.
Gjatë hetimeve të zhvilluara ka rezultuar se në mesin e të dyshuarëve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës.
Indeksonline mëson se në mesin e të arrestuarve në këtë aksion është Petrit Bahtijari, i dyshuar për krim financiar..
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se javën që shkoi policia e kishte kërkuar atë në shtëpinë e tij në Lagjen Marigona, por se nuk kishte arritur ta kapnin.
Ndryshe, urdhër kontrolli në Kosovë është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër krimit financiar dhe piraterisë audiovizive, që ka çuar në shpëlarjen e parave dhe përfitimeve financiare të kundërligjshme, në disa shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe në Kosovë.
Me urdhër të PSRK-së, hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në dy (2) lokacione në Prishtinë dhe në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: “Cenim i të drejtave të autorit”, nga neni 290 i KPRK-së;- “Shpëlarja e parave”, nga neni 302 i KPRK-së; Operacioni, i zhvilluar njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali, dhe Rumani, ka mundësuar eliminimin e një infrastrukture informatike, e cila shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përmes një sistemi të sofistikuar informatik – IPTV. Ndërsa, në hetim kanë bashkëpunuar edhe Kandaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara.
Gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe.Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit financiar dhe atij ekonomonik.

