75 Mall Live Search
23:31 / E Mërkurë, 28 Janar 2026 / Z S

Tensionet gjeopolitike rrisin çmimet e naftës

Çmimet e naftës kanë rritur në nivelin më të lartë të katër muajve të fundit, me një fuçi nafte “Brent” të Detit të Veriut për dorëzim në mars që u tregtua rreth 68,41 dollarë sot, 84 cent më shumë se një ditë më parë.

Nafta amerikane “West Texas Intermediate” (WTI) u rrit me 97 cent, duke arritur në 63,36 dollarë për fuçi. Këto rritje i çuan të dyja referencat kryesore të naftës në nivelet më të larta që nga fundi i shtatorit. Shkaku kryesor i rritjes duket të jenë tensionet gjeopolitike, ndërsa investitorët janë përqendruar te zhvillimet në Iran, një vend anëtar i grupit të prodhuesve të naftës OPEC.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar Iranin për shtypjen e protestave të fundit kundër udhëheqjes autoritare të vendit dhe ka shtuar praninë ushtarake të SHBA-së në rajon. Sipas ekspertëve të tregut të mallrave në Standard Chartered, ndjenja në tregun e naftës ka ndryshuar, me pritshmëri për luhatje më të mëdha të çmimeve sesa ishte parashikuar më parë.

Çmimet e naftës bruto janë faktori kryesor që ndikon në koston e karburanteve dhe të naftës për ngrohje, ndaj kjo rritje mund të përkthehet në shpenzime më të larta për konsumatorët.