75 Mall Live Search
11:18 / E Enjte, 29 Janar 2026 / KV

Vrasja e Liridonës/ Naim Murseli i kundërpërgjigjet Granit Plavës: ‘Nuk jemi takuar një ditë para vrasjes…’

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të dyshuar për planifikimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt.

Gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, liroi nga seanca e sotme Plavën dhe Kokallën, për t’i dhënë hapësirë dëshmisë së Naim Murselit, shkruan IndeksOnline. 

Gjatë deklaratës së tij, Murseli tregoi se martesa e tij me Liridonën nuk ka pasur asnjëherë ndonjë kthesë negative, duke e përshkruar atë si një grua besnike dhe nënë të dedikuar.

Ai tha se Plavën nuk e njeh aq mirë, teksa nuk ka qenë në dijeni për atë se do të bënte.

“Në aktakuzë e kam lexu se Granit Plava ka thënë se një ditë para vrasjes ka nejtë me mu. Nuk është e vërtetë…” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, prokurorja e rastit u shpreh se i duhen së paku dy orë për ta marrë në pyetje Murselin.

Pyetjet e prokurores kanë të bëjnë me përgjigjet që Murseli dha sot, dhe pyetje të tjera që janë në interes të saj.

Me këtë rast, Gjykata vendosi që seanca e sotme të përmbyllet dhe të vazhdojë më 11 shkurt, kur edhe pritet të përfundojë marrja në pyetje e të akuzuarve.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt. Ndërkaq, Granit Plava nuk ishte deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kushtrim Kokalla kishte thënë se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.

Kujtojmë se Liridona Ademaj u privua nga jeta më 29 nëntor të 2023-tës./IndeksOnline/