U vra para se Mitrovica të çlirohej: 25 vjet nga rënia e Gazmend Brahimit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot martirin e vonshëm Gazmend Brahimi, në 25-vjetorin e rënies së tij, duke vizituar vendin ku ai u vra dhe familjen e tij në Mitrovicë.


Si shumë familje shqiptare të shpërngulura gjatë luftës, edhe familja Brahimi, pas kthimit në Kosovë, e gjeti shtëpinë e rrënuar. Por, ndryshe nga shumë të tjera, ajo nuk e gjeti menjëherë lirinë. Çlirimi në Mitrovicë ishte vonuar. Para tij, kishte ardhur martiri i vonshëm, Gazmend Brahimi, vetëm 15 vjeç.
Gazmendi, që e donte aq shumë lagjen e fëmijërisë, Lagjen e Boshnjakëve, u vra nga shpërthimi i një granate dore, e hedhur nga banda kriminale serbe, të cilat në atë kohë terrorizonin përditë shqiptarët e kthyer në pronat e tyre. Me të ishte edhe vëllai i tij, Armendi, i cili edhe sot mban në trup 17 copëza të granatës.



Atë të hënë, 25 vjet më parë, Gazmendi ishte nisur për në shkollë për të nxënë dije. Atë ditë, ai dha mësimin më të madh: se si duhet vendlindja.
Në këtë përvjetor, Kryeministri Kurti vizitoi rrugën që sot mban emrin e Gazmend Brahimit dhe familjen e tij – babanë Agim, nënën Salë dhe vëllain Armend. Sivjet, Gazmendi do të ishte 40 vjeç.



Gazmendi jeton te secili që e ka njohur. Kujtimi për të na rikujton vuajtjen, sakrificën dhe çmimin e lirisë. Përvjetori i rënies së tij na përkujton përgjegjësinë, dashurinë dhe shërbimin ndaj atdheut.











