75 Mall Live Search
13:37 / E Enjte, 29 Janar 2026 / AR

E pranon publikisht/ Aktori zbulon se është martuar me partnerin e tij

Mes paparacëve, thashethemeve dhe zërave që zakonisht ushqehen nga rrjetet sociale, Gabriel Garko ia doli të bënte diçka të rrallë për një figurë publike si ai: të martohej dhe ta mbante krejtësisht të fshehtë nga media.

I ftuar në emisionin “Verissimo”, aktori tregoi me krenari unazën në gisht, duke konfirmuar për herë të parë martesën me partnerin e tij, Giorgio. Një histori dashurie e jetuar në privatësi maksimale, por kush është Giorgio dhe çfarë bën ai?

Në “Verissimo”, Gabriel Garko foli hapur për jetën private, duke zbuluar se është martuar me Giorgio-n, me të cilin është në një lidhje prej katër vitesh. Kur moderatorja Silvia Toffanin e pyeti: “A do të doje të martoheshe?”, aktori 53-vjeçar u përgjigj natyrshëm:

“Jemi martuar. U martova dy vjet më parë. Ja unaza”!

Pa kopertina revistash dhe pa njoftime publike: vetëm një ceremoni private, me shumë pak persona të pranishëm. “U martova me Giorgio-n dy vjet më parë. Ishim vetëm katër njerëz në bashki dhe as familjes sime nuk ia thashë paraprakisht”, tregoi ai.

Gabriel Garko zbulon se është martuar me partnerin e tij, Giorgio

 “Jeta ime publike ka qenë gjithmonë shumë publike, pothuajse si një serial”, rrëfeu Garko, duke shpjeguar pse kishte zgjedhur privatësinë për një nga ditët më të rëndësishme të jetës së tij. “Më pas kam pasur histori që i kam mbajtur për vete. Ato të vërtetat i kam ruajtur për veten time. I jap shumë rëndësi privatësisë dhe nuk mendoj se duhet thënë gjithçka.”

Martesa u zhvillua në fshehtësi të plotë më 2 dhjetor 2024.

“E organizova gjithçka në mënyrë që lajmi të mos dilte. Nuk i thashë askujt, as familjeve tona, të cilat e morën vesh po atë ditë. Ishte diçka që doja ta bëja për veten”.

Edhe data nuk ishte zgjedhur rastësisht:

“Vendosa të martohem kur ndihesha mirë me veten. Ishte afër Krishtlindjeve, kur të gjithë janë të zënë me dhuratat, kështu që mendova se as në gjendjen civile nuk do ta kuptonin menjëherë. Dhe ashtu ndodhi”.

Garko thotë se tani është momenti i duhur për ta ndarë këtë të vërtetë: “Kam fshehur shumë në jetën time. Nuk dua ta bëj më”.

Kush është Giorgio, bashkëshorti i Gabriel Garko-s?  “Quhet Giorgio. Jemi shumë të rezervuar”, u shpreh aktori, aktualisht protagonist i serialit “Colpa dei sensi”. Të njohur prej katër vitesh, Giorgio nuk e ka shoqëruar kurrë Garko-n në evente publike dhe nuk ka qenë asnjëherë pjesë e profilit të tij në Instagram. Garko sqaroi se bashkëshorti i tij nuk bën pjesë në botën e spektaklit, por nuk dha detaje të tjera.

“Secili duhet të jetë mirë fillimisht me veten, të njohë kufijtë e tij dhe t’i vendosë ata edhe në një marrëdhënie,” shpjegoi ai. “Çdo njeri ka nevojë për hapësirën e vet, për zakonet e veta. Askush nuk duhet të dominojë tjetrin. Mendoj se jemi krijuar për të qenë në çift”.

Për shumë vite, Gabriel Garko ishte simboli i mashkullit romantik dhe misterioz të serialeve italiane. Një figurë që solli sukses dhe popullaritet, por që ai vetë e ka përshkruar si një “burg të artë”. Ai doli nga ky kapitull në vitin 2020, një hap që i dha lirinë për të qenë vetvetja dhe për të pranuar publikisht se është gay.

“U gjenda në një moment ku ose do ta bëja unë, ose dikush tjetër do ta bënte në mënyrë më brutale”, ka thënë ai për La Repubblica. “E thashë natyrshëm dhe u çlirova nga një peshë”.

Sot, Garko flet me qetësi dhe pjekuri për dashurinë, privatësinë dhe të drejtën për të jetuar pa skenarë.

Gabriel Garko zbulon se është martuar me partnerin e tij, Giorgio

Gabriel Garko, emri i vërtetë i të cilët është Dario Oliver, ka punuar si model, por më tepër famë fitoi përmes aktrimit. Ai nisi aktrimin në fund të viteve ’90, por kulmin e pati në serialin dramatik “L’onore e il rispetto”, përmes të cilit u bë i njohur edhe për publikun shqiptar në rolin e kreut të mafias, Tonio Fortebracci.