75 Mall Live Search
20:28 / E Enjte, 29 Janar 2026 / Z S

Trump thotë se Putini është pajtuar të ndalë sulmet ndaj Kievit për një javë

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, është pajtuar që të ndalojë sulmet ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase për një javë, në kohën kur sulmet e Moskës po bëjnë që Ukraina të përballet me dimrin më të vështirë që nga fillimi i luftës më 2022.

Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës kanë lënë miliona njerëz pa rrymë, ngrohje dhe furnizim me ujë në kohën e acarit të dimrit.

“Për shkak të të ftohtit, të ftohtit ekstrem… unë personalisht i kërkova presidentit Putin të mos sulmojë Kievin dhe qytetet e fshatrat për një javë gjatë kësaj periudhe”, tha Trump në një takim të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

“Është e jashtëzakonshme. Nuk është thjesht ftohtë, është një i ftohtë i jashtëzakonshëm. I ftohtë rekord, edhe atje po ndodh e njëjta gjë, është një mot i keq”, shtoi Trump, duke e krahasuar me temperaturat e ulëta në Uashington.

“Ata kurrë nuk kanë përjetuar një mot kaq të ftohtë. Dhe unë personalisht i kërkova presidentit Putin që të mos qëllojë drejt Kievit dhe qyteteve të ndryshme për një javë. Dhe ai pranoi ta bëjë këtë, dhe duhet t’ju them, ishte shumë gjë e mirë”.

Ende nuk ka ndonjë reagim nga Kremlini, por Trump – takimi i të cilit në Alaskë me liderin rus në gushtin e kaluar përfundoi pa një arritje konkrete – tha se i besonte Putinit se do të respektojë marrëveshjen.

“Duhet t’ju them, njerëzit thoshin, ‘mos humb kohë të zhvillosh bisedë telefonike. Nuk do ta marrësh këtë’. Dhe ai e bëri”, tha Trump.

“Dhe ne jemi shumë të kënaqur që e bënë këtë, sepse mbi të gjitha, ajo që nuk u nevojitet atyre janë raketat që shkojnë drejt qyteteve dhe fshatrave të tyre”.

Agjencia shtetërore e motit e Ukrainës parashikoi të enjten një rënie drastike të temperaturave deri në minus 30 gradë Celsius në ditët e ardhshme, ndërsa autoritetet po përpiqen të rikthejnë shërbimet.

Mbrëmjen e së mërkurës, gjatë një adresimi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi për sulme të reja ruse ndaj ndërtesave të energjisë.

Trump shtoi se kishte pasur “shumë përparim” në bisedimet, e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, midis Kievit dhe Moskës për të ndaluar luftën./Indeksonline/