Kusari: S’kemi qëndrim për nënkryetarin nga Lista Serbe
Ish-shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka komentuar për RTV21 vendimin e Kushtetueses lidhur me aktvendimin e saj për çështjen e nënkryetarit serb.
Kusari tha se Lista Serbe nuk ka treguar vullnetin minal për marrjen e përgjegjësisë, duke përmendur edhe rastin e Afrim Bunjakut.
Kusari duke përmendur qasjen e këtij subjekti politik tha se nuk ka pasur hapësirë të mendohet që ata janë në favor të rrugëtimit progresiv për Kosovën.
Ajo shtoi se duhet pritet publikimi i plotë i vendimit të Kushtetueses për të parë se si do të veprohet tutje.
“Siç e kam deklaruar shumë herë, ky subjekt nuk ka treguar as vullnetin minimal për të marrë përgjegjësi apo për të treguar distancim mbi aktet e tmerrshme që drejtuesit e lartë të këtij subjekti i kanë bërë kundër shtetit të Kosovës, kundër institucioneve, sovranitetit dhe vrasjes e policit, Afrim Bunjaku në rënie të detyrës. Përderisa në këtë qasje dhe në këtë qëndrim i cili ka vazhduar edhe më tutje, nuk ka pasur as hapësirë të mendohet që këta janë në favor të një rrugëtimi progresiv për shtetin e Kosovës”, tha ajo për RTV21.
Gjykata Kushtetuese pak ditë më parë shpalli antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i kuvendit, pas ankesës së Listës Serbe lidhur me seancën e 10 tetorit. Sipas aktgjykimit, deputetët shkelën Kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit, pasi Rashiq nuk u propozua nga shumai e deputetëve të komunitetit serb. Në aktgjykim thuhet po ashtu se as Lista Serbe si shumicë nga komunitetit serb nuk i përdori mekanizmat debllokues për konstituimin e kuvendit.

