75 Mall Live Search
08:14 / E Shtunë, 31 Janar 2026 / F.R

Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak zgjerohet, vizitat për pacientët me kancer rriten në 18%

Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak në Komunën e Prishtinës është zgjeruar me staf të ri, ka rritur ndjeshëm numrin e vizitave dhe sot funksionon shtatë ditë në javë, duke ofruar rreth 300 vizita ditore nëpër shtëpitë e pacientëve, ka deklaruar shefja e këtij shërbimi, Sahadete Kelmendi, raporton Ekonomia Online.

Kelmendi në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se gjatë viteve të fundit është shënuar edhe rritje e ndjeshme e numrit të pacientëve me sëmundje me kancer, ndërsa prioritet në trajtim u jepet pacientëve me kancer dhe atyre që kanë nevojë për terapi urgjente.

Kelmendi tha se shërbimi është zgjeruar përmes një projekti të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Shërbimi është zgjeruar me një projekt në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ku janë punësuar gjashtë mjekë të kujdesit paliativ, janë dy fizioterapeutë, si dhe një psikologe klinike. Gjithë ky ekip i është shtuar stafit të shërbimit të mjekimit shtëpiak. Shërbimi i mjekimit shtëpiak ekziston që nga viti 1986. Ka funksionuar me një staf shumë të vogël deri në vitin 1992. Në vitin 1992 kur janë mbyllur të gjitha institucionet shtetërore nga regjimi i atëhershëm, edhe shërbimi i mjekimit shtëpiak e ka pasur atë fat. Ka pasur disa kriza, hapje dhe mbyllje të shërbimit, mirëpo që nga viti 2005 shërbimi ka funksionuar rregullisht deri në vitin 2020 me një orar pune nga ora 07:00 deri në orën 15:00”, tha ajo.

Ajo shtoi se nga viti 2022 shërbimi ka filluar të punojë edhe ditëve të fundjavës si dhe ditëve të festave.

“Që nga viti 2020, atëherë kur ka qenë edhe periudha e pandemisë, shërbimi është zgjeruar edhe me mjekë të tjerë dhe ka filluar të punojë me dy ekipe: nga ora 07:00 deri në orën 13:00 dhe nga ora 13:00 deri në orën 19:00. Konkretisht me dy orare pune, 07:00-13:00 dhe 13:00-19:00, me nga dy ekipe. Ajo që vlen të theksohet është që nga marsi i vitit 2022, shërbimi ka filluar të punojë edhe ditëve të fundjavës, si dhe ditëve të festave. Konkretisht, shërbimi tani punon shtatë ditë në javë me orar pune nga ora 07:00 deri në orën 19:00. Natyra e punës së shërbimit të mjekimit shtëpiak dallon nga shërbimet edhe nga puna që ofrohet në qendrat e mjekësisë familjare, sepse ne parimin bazë të këtij shërbimi kemi, i cili është paaftësia e pacientit për me marrë shërbimin në qendrat e mjekësisë familjare. Konkretisht ne ofrojmë shërbime të gjithë atyre pacientëve të cilët për çfarëdo arsye shëndetësore nuk mund të vizitojnë as qendrën më të afërt të mjekësisë familjare. Do të thotë, janë kategoria e moshës mbi 65 vjeç apo pacientët edhe me mosha të reja, mirëpo që kanë probleme të ndryshme, të cilët në përgjithësi janë pacientë të palëvizshëm”, tha ajo.

Duke folur për llojet e pacientëve, Kelmendi theksoi se trajtohen raste të shumta me sëmundje kronike dhe kancer.

“Sa i përket patologjive, mund t’i cek: janë pacientë me sëmundje të sistemit kardiovaskular, pacientë me sëmundje të sistemit respirator, pacientë me diabet me plagë, pacientë pas ndërhyrjeve kirurgjike, ndërkaq pjesa më e rëndësishme dhe më e ndjeshme e pacientëve tanë janë pacientët me sëmundje malinje, gjegjësisht të gjithë ata pacientë të cilët posedojnë sëmundje kanceroze”, tha ajo.

Ajo njoftoi edhe për rritje të madhe të numrit të vizitave krahasuar me vitin 2021.

“Nëse bëjmë krahasimin në përqindje të rritjes së shërbimeve mjekësore si dhe vizitave me vitin 2021, konkretisht në periudhën në të cilën shërbimi ka funksionuar vetëm pesë ditë në javë dhe ka funksionuar me dy ekipe – dy ekipe paradite dhe dy ekipe në ndërrimin e pasdites – atëherë i bie që kemi një rritje të vizitave në vitin 2022 për 140%, ndërkaq rritje të shërbimeve mjekësore përafërsisht 200% krahasuar, siç e ceka edhe më herët, me vitin 2021. Muaji dhjetor ka qenë muaji rekord sa i përket shërbimeve dhe vizitave nga ana e stafit tonë. Janë ofruar rreth 10,000 shërbime dhe vizita vetëm brenda një muaji, që i bie që shërbimi ofron afërsisht 300 vizita ditore dhe shërbime brenda një orari 12-orësh nëpër shtëpitë e pacientëve. Në kuadër të këtyre shërbimeve llogariten të gjitha ato shërbime të cilat bëhen edhe në qendrat e mjekësisë familjare, mirëpo që stafi ynë i bën nëpër shtëpi”, tha ajo.

Kelmendi shpjegoi se ekipet ofrojnë shërbime të shumta mjekësore dhe këshillime për pacientët dhe familjarët e tyre.

“Janë ekzaminimet rutinore që bëhen: matja e tensionit, glikemisë, saturimit me oksigjen, dhënia e tapisë intramuskulare, intravenoze, subkutane, këshillime sa i përket përdorimit të oksigjenoterapisë, sa i përket inhalimit e të tjera. Ndërkaq, pjesa më e rëndësishme e jona është edhe edukimi i pacientëve dhe familjarëve të tyre sa i përket edhe marrjes së tapisë, sa i përket edhe këshillave rreth aktivitetit fizik nëse këta pacientë kanë mundësi të lëvizin sadopak, aq sa është e mundur, sa i përket dietës, higjienës e të tjera”, tha ajo.

Ajo shtoi se është shënuar rritje e ndjeshme e pacientëve me kancer, nga 4% e pacientëve të cilët më herët kanë marrë shërbime, nga viti i kaluar kjo shifër është rritur deri në 18%.

“Është një statistikë e rëndësishme që vlen të theksohet, kemi një rritje të pacientëve me sëmundje malinje apo kancere. Nëse krahasohet me tre vitet e kaluara, atëherë në atë periudhë, në bazë të disa hulumtimeve dhe auditeve që i kemi bërë, kanë qenë 4% e pacientëve të cilët kanë marrë shërbime nga ne, kanë qenë me sëmundje malinje. Mirëpo, në vitin e kaluar kjo shifër është rritur deri në 18%”, tha ajo.

Kelmendi njoftoi edhe për mënyrën e kontaktimit të shërbimit.

“Kemi shërbimin që është pa pagesë, është operatori nga operatori “Vala”, është numri kontaktues 044-205-900, si dhe është numri tjetër fiks që është 038-606-374. Nëpërmjet këtyre telefonave kontaktues, pacientët apo familjarët e tyre mund të thërrasin në mëngjes nga ora 07:00. Nëse janë pacientë që janë me terapi vazhduese, atëherë ata pacientë nuk kanë nevojë të thërrasin. Nëse ka një pacient të marrë shërbim nga ne 5 ditë, 7 ditë, atëherë ai ka nevojë të thërrasë vetëm ditën e parë dhe deri të kryhet apo të përfundojë terapia, atëherë pacienti nuk ka nevojë të maltretohet, të bëjë thirrje në telefon”, tha ajo.

Ajo sqaroi se prioritet u jepet pacientëve me sëmundje të rënda dhe atyre që kanë nevojë për terapi urgjente.

“Momentalisht këto ekipe janë të mjaftueshme, mirëpo edhe numri i pacientëve varieron sikur çdo qendër tjetër që mundet të varierojë numri i pacientëve varësisht nga sezonet, varësisht nga problemet që kanë pacientët. Ajo që është me rëndësi, edhe nëse tejkalohet numri i vizitave, edhe pse ne mundohemi që t’i pranojmë brenda ditës, mirëpo nëse arrihet që të plotësohet numri i vizitave apo shërbimeve që mundemi ne me i planifiku, që mundemi me i realizu brenda një dite, atëherë çfarë duhet të bëjmë ne? Atëherë t’i selektojmë pacientët. Prioritet gjithmonë ju japim pacientëve të cilët janë me sëmundje malinje, gjegjësisht pacientët që janë me kancere. Ata pacientë nuk refuzohen çfarëdo orari të ditës që thërrasin. Prioritet mundohemi t’u japim edhe pacientëve që kanë me marrë terapi, sidomos vlen të theksohet terapia me antibiotikë, sepse të gjithë e dimë që ajo terapi duhet me u marrë me një orar të caktuar. Mirëpo, nëse thirrjet edhe vizitat apo kërkesat janë edhe më shumë sesa mund t’i realizojmë ne me kapacitetet tona, nëse nuk është pacienti që ka nevojë që është shumë i domosdoshëm ai shërbim që të merret brenda ditës, atëherë e bartim për ditën tjetër. Atij mundet me i hy ndonjë lidhje apo pastrimi i plagës, ndonjë kateterizim, edhe pse nëse shtyhet një ditë ose dy ditë, atëherë nuk do të thotë që pacienti ka me u dëmtu në këtë aspekt”, tha ajo.