SHBA, çmimi i arit bie mbi 10 për qind
Çmimet e arit, pasi u rritën vazhdimisht për rreth dhjetë javë, shënuan një rënie të fortë të premten. Rreth orës 18:30 GMT, çmimi i arit për ons ra në nivelin 4.775 dollarë, me rreth 11 për qind rënie në bazë ditore.
Megjithatë, ari është rritur me rreth 88 për qind gjatë 12 muajve të fundit dhe rreth 19 për qind që nga fillimi i vitit, i mbështetur nga tensionet e shtuara tregtare dhe gjeopolitike, si dhe nga uljet e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore.
Edhe çmimet e argjendit pësuan një rënie të fortë, duke u ulur me mbi 33 për qind në 76,1 dollarë për ons. Rritja e tij gjatë 12 muajve ishte 255,6 për qind.
Vendimi i Rezervës Federale (Fed) të mërkurën për të mbajtur normat e interesit të pandryshuara ndihmoi dollarin të rikuperohej nga nivelet më të ulëta të shumë viteve, megjithëse ai mbeti pranë një rënieje të dytë radhazi javore.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se ka zgjedhur ish-guvernatorin e Rezervës Federale, Kevin Warsh, si kandidat për postin e kryetarit të ardhshëm të Fed-it, duke thënë se ai do të jetë “një nga kryetarët më të mëdhenj të Fed-it, ndoshta më i miri”.
Megjithatë, procesi i konfirmimit mund të rezultojë i vështirë, pasi disa senatorë republikanë janë zotuar të bllokojnë çdo nominim për Fed-in derisa Departamenti amerikan i Drejtësisë të përfundojë hetimin mbi rinovimin e selisë së bankës qendrore në Washington.

