75 Mall Live Search
08:20 / E Enjte, 05 Shkurt 2026 / MSH1

Protesta kundër shtrenjtimit të rrymës, organizatorët: Nuk është protestë partiake

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike e cila do të fillojë nesër në ora 13:00 para KEDS, e për ta përfunduar atë para Qeverisë së Kosovës.

Në një intervistë për Ekonomia Online lidhur me këtë protestë, aktivistja Qëndresa Hyseni ka bërë të ditur se protesta do të zgjasë dy orë dhe ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen kundërshtimit të shtrenjtimit të rrymës.

“Po, protesta do të mbahet të premten prej orës 13:00. Fillon te ndërtesa e KEDS-it dhe vazhdon deri te Qeveria. Sa i përket përkrahjes, për secilin qytetar e qytetare është shumë e rëndësishme që faturat e rrymës mos me u rritë, kështu që kushdo që e sheh të arsyeshme edhe esenciale mos rritjen e faturave të rrymës edhe çmimit të rrymës, ish dash me u bashku në protestë,” ka deklaruar Hyseni.

Ajo ka theksuar se kundërshtimi qytetar ndaj këtij vendimi është i domosdoshëm, pasi rritja e çmimit të energjisë ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme.

“Për ne është shumë e rëndësishme që mos me u ndalë si qytetare dhe qytetarë me kërku që mos me u marrë vendimi për shtrenjtim të rrymës, për shkak se kjo automatikisht ndikon në cilësinë e jetës edhe koston e jetës që ka me u rritë nëse rritet 20% fatura e rrymës,” ka thënë ajo.

Sipas Hysenit, protesta e së premtes është vetëm fillimi i veprimeve të tjera qytetare.

“Kjo protestë ka me qenë si nisje e aksioneve të tjera deri në realizim të kërkesave tona edhe pezullim të vendimit. Protesta është për të gjithë qytetarët edhe qytetaret, edhe secili ka të drejtën me protestu në mënyrën qysh e sheh të arsyeshme dhe të nevojshme,” ka theksuar Hyseni.

Ajo ka sqaruar gjithashtu se protesta nuk ka karakter partiak dhe organizohet nga shoqëria civile.

“Protesta është e organizuar prej një grupi të aktivistëve e aktivisteve të shoqërisë civile. Nuk është protestë partiake, kështu që nuk presim e as nuk bashkëpunojmë me akterë të partive politike,” është shprehur ajo.

Hyseni ka folur edhe për pritjet sa i përket pjesëmarrjes qytetare në protestë.

“Duke e pa reagimin qytetar, konsiderohet që ka me qenë një numër i mjaftueshëm, po kjo le të mbetet të shihet të premten kur bashkohen krejt njerëzit që kishin dash me protestu kundër shtrenjtimit të rrymës. Protesta do të zgjasë prej orës 13:00 deri në orën 15:00,” ka deklaruar Hyseni.