75 Mall Live Search
09:06 / E Enjte, 05 Shkurt 2026 / MSH1

“Washington Post”-i pushon nga puna qindra gazetarë, Murray: Janë veprime të vështira

Gazeta “Washington Post” njoftoi se do të pushojë nga puna një të tretën e fuqisë punëtore, afro 300 gazetarë, duke e zvogëluar ndjeshëm mbulimin e lajmeve sportive dhe të huaja nga gazeta.

Shkurtimet, të njoftuara të mërkurën, do të ndikojnë te punonjësit në të gjitha departamentet, me rolet në seksionet sportive, lokale dhe të huaja të redaksisë, që do të goditen veçanërisht rëndë, shkruan BBC-i.

Kjo shënon trazirat më të fundit për gazetën kryesore amerikane, e cila është në pronësi të miliarderit Jeff Bezos.

Redaktori ekzekutiv, Matt Murray, tha se shkurtimet do të sillnin “stabilitet”.

Por njoftimi u prit jo mirë nga punonjësit e gazetës dhe disa ish-udhëheqës, njëri prej të cilëve e përshkroi atë si ndër “ditët më të errëta në historinë” e gazetës së famshme.

“Lajmet e sotme janë të dhimbshme. Këto janë veprime të vështira”, shkroi Murray, në një shënim drejtuar stafit të mërkurën.

“Nëse duam të lulëzojmë, jo vetëm të qëndrojmë, duhet të rishpikim gazetarinë dhe modelin tonë të biznesit me ambicie të përtërirë”.

Në shpjegimin e tij për shkurtimet, Murray tha se trafiku online i gazetës kishte rënë ndjeshëm në tre vitet e fundit për shkak të bumit të inteligjencës artificiale dhe se ajo ishte “shumë e rrënjosur në një epokë tjetër”.

“Edhe pse prodhojmë shumë vepra të shkëlqyera, shpesh shkruajmë nga një perspektivë e vetme, për një pjesë të audiencës”, tha ai.

Përpara njoftimit për ndërprerje të kontratës së punës, korrespondentët e huaj dhe reporterët vendas i ishin lutur Bezosit që të ruante vendet e tyre të punës.

“Vazhdimi i eliminimit të punëtorëve vetëm sa do ta dobësojë gazetën, do t’i largojë lexuesit dhe do të minojë misionin e “The Post”-it, tha shoqata e “Washington Post”-it, në një deklaratë.