Duka: Fakti që asambleja po zhvillohet sipas statutit, tregon stabilitet institucional të FFK-së
Është mbledhur kuvendi zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e ku do të bëhet zgjedhje e kryetarit, e ku Agim Ademi po e synon edhe mandatin e tretë, e pa asnjë kundërkandidat.
Ndonëse asnjë kandidat kundër, megjithatë, Armando Duka nga UEFA-ja, ka thënë se vetë fakti që asambleja po zhvillohet në përputhje me statutin, rregullat dhe procedurat demokratike, tregon stabilitet institucional të FFK-së.
“Keni për të bërë dhe zgjedhjen e presidentit tuaj, konfirmimin e komitetit ekzekutiv të zgjedhur nga shoqatat rajonale. Proceset zgjedhore janë gjithmonë momente themelore dhe të rëndësishme për çdo federatë, sepse ri konfirmojnë legjitimitetin, unitetin dhe përgjegjësinë e institucioneve futbollistike. Edhe pse ju sot keni një kandidat të vetëm, fakti që asambleja zhvillohet në përputhje me statutin, rregullat dhe procedurat demokratike është një tregues i rëndësishëm i stabilitetit institucional të FFK-së”, tha Duka në fjalën e tij që pati në kuvendin e FFK-së. Duka potencoi se FFK-ja ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj forcimit institucional dhe zhvillimit afatgjatë të futbollit, duke përmendur edhe marrëdhëniet mes UEFA-s dhe FFK-së.
“Marrëdhënia midis UEFA-s dhe FFK-së ka filluar të zhvillohet në mënyrë konstruktive dhe të ndërsjelltë. Federata e Futbollit e Kosovës ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj forcimit institucional dhe zhvillimit afatgjatë të futbollit, progres i cili njihet dhe vlerësohet nga UEFA-ja. Gjatë viteve të fundit, bashkëpunimi ka qenë në disa fusha kyçe dhe strategjike, përfshirë qeverisjen, zhvillimin e infrastrukturës, futbollin e të rinjve dhe qëndrueshmërinë e institucioneve. Në këtë drejtim dua të theksoj përdorimin efektiv të fondeve HatTrick të UEFA-s, veçanërisht ndërtimin e fushave të reja me bar artificial dhe objekteve stërvitore. Këto investime kanë një rol të rëndësishëm në zgjerimin e qasjes në futboll, përmirësimin e kushteve të stërvitjes dhe forcimin e futbollit të bazës në gjithë Kosovën. Në aspektin sportiv, futbolli i Kosovës vazhdon të shënojë përparim të qëndrueshëm. Paraqitja e Skuadrës Kombëtare A në ndeshje kualifikuese të Kampionatit Botëror dhe pjesëmarrja e saj në play-off-in e marsit për të qenë pjesë e Kampionatit Botëror dëshmojnë qartë zhvillimin dhe ambicien e lartë. Uroj që Kombëtarja e Kosovës të ketë sukses në dy ndeshjet e ardhshme të play-off-it”, ka thënë ai.Po ashtu Duka ka theksuar se këto zhvillime dëshmojnë që futbolli në Kosovë po ecën përpara dhe në mënyrë të strukturuar.

