Osmani takon kryeministrin e shtetit për të cilin Vuçiqi thoshte se e ka çnjohur Kosovën
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka njoftuar për një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Eswatinit, Russell Mmiso Dlamini.
Për këtë vend presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte thënë se e ka tërhequr njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës.
Por presidentja Osmani gjatë këtij takimi me kryeministrin e Eswatinit, thotë se i ka shprehur mirënjohje për njohjen e hershme të pavarësisë së Kosovës e gjithashtu edhe gatishmërinë për të avancuar në raportet mes dy shteteve.
“Gjatë Samitit Botëror të Qeverisjes, pata kënaqësinë ta takoj Kryeministrin e Mbretërisë së Eswatinit, Russell Mmiso Dlamini. Shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për njohjen e hershme të pavarësisë nga Eswatini, si dhe gatishmërinë për të avancuar drejt lidhjes së marrëveshjeve në fusha konkrete me interes të dyanshëm. Poashtu diskutuam për koordinim më të ngushtë në forume multilaterale”, ka thënë Osmani në postimin e saj në Facebook.
Në vitin 2023, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte thënë se kanë siguruar nëntë çnjohje të pavarësisë së Kosovës, në mesin e të cilave ishte edhe Eswatini. Pretendimet e tij ishin mohuar nga kryeministri Albin Kurti.
Bazuar në marrëveshjen e Ohrit të cilën Serbia e pranoi por nuk e nënshkroi, i kërkohej që të ndalonte lobimin kundër Kosovës, megjithatë fushatën e çnjohjeve ndaj pavarësisë së Kosovës shteti serb nuk e ndaloi kurrë.

