AGK dhe Policia e Kosovës forcojnë bashkëpunimin për sigurinë e gazetarëve
Drejtorja Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Getoarbë Mulliqi, së bashku me përfaqësuesin ligjor të AGK-së, Yll Zekaj, kanë zhvilluar sot një takim koordinues me përfaqësues të Policisë së Kosovës.
Në takim morën pjesë Major Baki Kelani, Drejtor i Drejtorisë për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, si dhe Kapiten Fadil Haliti, Shef i Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, shkruan IndeksOnline.
Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet AGK-së dhe Policisë së Kosovës, me theks të veçantë në funksionalizimin dhe përdorimin e databazës së përbashkët për rastet e sulmeve, kërcënimeve dhe formave të tjera të presionit ndaj gazetarëve.
Palët diskutuan gjithashtu nevojën për forcimin e koordinimit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë, veçanërisht në rastet urgjente, me qëllim reagimin e shpejtë dhe efikas ndaj incidenteve që rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve, si gjatë raportimit në terren ashtu edhe në situata të tjera të ndjeshme.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e raportimit dhe shkëmbimit të rregullt të informatave ndërmjet AGK-së dhe Policisë së Kosovës, për të siguruar që çdo rast i raportuar të trajtohet me prioritet dhe brenda afateve të arsyeshme.
AGK dhe Policia e Kosovës riafirmuan përkushtimin e tyre për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit institucional, përmes mekanizmave të përbashkët dhe koordinimit të aktiviteteve, me synim rritjen e sigurisë fizike të gazetarëve dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për ushtrimin e profesionit të gazetarit në Kosovë./IndeksOnline/

