Princi Leka pritet të bëhet sërish baba
Pas zyrtarizimit të lidhjes disa muaj më parë dhe paraqitjeve të shpeshta së bashku në evente publike, princi Leka dhe Blerta Celibashi duket se po jetojnë një nga periudhat më të bukura të jetës së tyre.
Fotografja është në pritje të ëmbël dhe çifti pritet të mirëpresë fëmijën e tyre të parë së bashku pas disa muajsh.
Burime pranë çiftit kanë konfirmuar për PopArt.al lajmin e shtatzënisë, duke zbuluar gjithashtu se Blerta pret një djalë.
Për princin Lekën, ky do të jetë përjetimi i dytë i atësisë, pasi ai është tashmë baba i një vajze nga martesa e mëparshme me aktoren Elia Zaharia, me të cilën u nda kohë me parë.
Sipas të njëjtave burime, shtatzënia po shkon mirë dhe çifti ka zgjedhur ta jetojë këtë periudhë me qetësi dhe larg vëmendjes së tepërt mediatike. Megjithëse zërat për një pritje të ëmbël kanë qarkulluar prej kohësh, tashmë lajmi konsiderohet i konfirmuar nga persona të afërm me ta.
Deri në këtë moment, as princi Leka dhe as Blerta Celibashi nuk kanë bërë një reagim publik, por mësohet se përgatitjet për ardhjen e foshnjës kanë nisur prej pak kohësh, duke shtuar emocionin për kapitullin e ri që i pret. Perpos këtij lajmi, në rrjet po aludohet se çifti ka nisur edhe përgatitjet për dasmën.

