75 Mall Live Search
21:16 / E Premte, 06 Shkurt 2026 / F.R

Google sjell përsëri funksionin e rëndësishëm në Messages

Google po përgatitet të rikthejë një funksion të rëndësishëm në aplikacionin Google Messages, i cili ishte hequr më herët dhe kishte shkaktuar pakënaqësi te disa përdorues.

Bëhet fjalë për opsionin “Edit History” (Historiku i Ndryshimeve), që lejon shikimin e versioneve të mëparshme të një mesazhi të redaktuar. Ky funksion ishte veçanërisht i dobishëm për transparencën në komunikim, por u hoq në një nga përditësimet e fundit të aplikacionit.

Sipas informacionit të zbuluar përmes analizës së kodit të versionit më të ri të aplikacionit, Google ka nisur punën për ta rikthyer këtë opsion.

Me përditësimin e ardhshëm, përdoruesit do të mund të shohin të gjitha ndryshimet e bëra në një mesazh përmes seksionit “Info”, ku do të paraqitet teksti origjinal, redaktimet pasuese dhe koha kur janë kryer ato.

Ky hap pritet të rrisë besueshmërinë dhe qartësinë në komunikimin përmes mesazheve RCS, duke parandaluar ndryshimet pa gjurmë të përmbajtjes origjinale.

Funksioni ndodhet aktualisht në fazë testimi dhe pritet fillimisht të jetë i disponueshëm për përdoruesit e versionit beta, ndërsa më pas edhe për publikun e gjerë.