75 Mall Live Search
09:44 / E Diele, 08 Shkurt 2026 / L A

Reali po e ka seriozisht për Rodrin, synon transferimin e tij në verë

Real Madridi po përgatit një lëvizje serioze gjatë merkatos së verës për mesfushorin e Manchester Cityt, Rodri, teksa skuadra angleze mund të përballen me ndryshime të mëdha pas epokës së Pep Guardiolës.

“Los Blancos” e shohin Rodrin si një lider të ardhshëm dhe figurë kapiteni, që mund të sjellë eksperiencë, autoritet dhe stabilitet në mesfushën madrilene. Fituesi i Topit të Artë konsiderohet profili ideal për të udhëhequr gjeneratën e re në “Santiago Bernabéu”.

Rodri ka pranuar më herët se do ta konsideronte një rikthim në Spanjë, ndërsa e ardhmja e Pep Guardiolës në Manchester City mbetet e paqartë. Kjo situatë e bën verën e ardhshme një moment kyç për Real Madridin, i cili po monitoron nga afër zhvillimet në “Etihad”.

Në rast se Guardiola largohet, City mund të hyjë në një fazë rindërtimi, çka do ta bënte më të vështirë mbajtjen e yjeve kryesorë. Real Madridi shpreson ta shfrytëzojë këtë situatë për të bindur Rodrin të rikthehet në La Liga dhe të bëhet shtyllë e projektit afatgjatë të klubit.

Megjithatë, Manchester City nuk pritet ta lëshojë lehtë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke e bërë këtë një nga sagat më interesante të merkatos së verës.