Prodhimi i energjisë elektrike – KEK: Mbi 110 mijë mwh më shumë prodhim në dy muajt e fundit
Korporata Energjetike e Kosovës ka realizuar rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026, si rezultat i operimit stabil dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve prodhuese e në veçanti operimi me 3 njësi të TC Kosova A njëkohësisht.
KEK njofton se gjatë muajit dhjetor 2025, prodhimi i energjisë elektrike ka arritur në 127% të nivelit të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit paraprak, që përfaqëson 27% rritje, respektivisht 46,539 MWh më shumë energji elektrike.
“Ndërsa gjatë muajit janar 2026, prodhimi ka shënuar 132.9% të nivelit të janarit të vitit paraprak, që përkthehet në rritje prej 32.9%, ose 63,003 MWh më shumë energji elektrike”, thuhet në njoftim.
“Në total, gjatë këtyre dy muajve, KEK Sh.A. ka realizuar një rritje të konsiderueshme të prodhimit prej rreth 110 mijë MWh, më shumë energji elektrike krahasuar me periudhën përkatëse të viteve paraprake, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend”, thuhet tutje në njoftimin e KEK-ut. /IndeksOnline/

