75 Mall Live Search
16:31 / E Diele, 08 Shkurt 2026 / F.R

Arrestohet në Spanjë shqiptari i shpallur në kërkim prej më shumë se 20 vitesh

Një shqiptar, i arratisur që nga viti 2004 dhe i kërkuar për trafik droge dhe mbajtje të paligjshme armësh, u arrestua në Spanjë falë një operacioni ndërkombëtar të koordinuar mes Karabinierëve të Fermos dhe policisë spanjolle.

Mediat italiane shkruajnë se tani shqiptari ndodhet në dispozicion të Gjykatës Qendrore Kombëtare të Madridit, në pritje të procedurave të dorëzimit.

Ai ishte shpallur fajtor për shpërndarje të kokainës, deri në 340 doza mesatare ditore, si dhe për furnizim me heroinë, kokainë dhe marihuanë. Ai gjithashtu posedonte në mënyrë të paligjshme rreth 2 kg marihuanë dhe municione pa leje, me qëllim furnizimin e palëve të treta.

Shqiptari kërkohej për vuajtjen e një dënimi të mbetur prej gati katër vjetësh burg dhe një gjobe prej afërsisht 9,000 eurosh për komplot për shpërndarjen e narkotikëve dhe komplot për posedimin e armëve, të dyja të kryera në provincë.

Gjatë hetimeve, autoritetet arritën të lokalizonin shqiptarin fillimisht në zonën e Durrësit dhe më pas në Spanjë, duke mundësuar arrestimin e tij.