75 Mall Live Search
09:28 / E Hënë, 09 Shkurt 2026 / H F

Ilaçi i ri që “urdhëron” kancerin të shkatërrohet vetë

Shkencëtarët kanë njoftuar një përparim të rëndësishëm në luftën kundër kancerit, pasi një trajtim i ri eksperimental ka treguar se mund t’i mashtrojë qelizat kancerogjene që të shkatërrojnë vetveten, shkruan Daily Mail– transmeton IndeksOnline.

Startup-i mjekësor amerikan Neomorph, me bazë në Kaliforni, njoftoi se ka nisur provën e parë klinike të ilaçit NEO-811 për trajtimin e karcinomës renale me qeliza të qarta (ccRCC), forma më e zakonshme e kancerit të veshkave në SHBA. Në kuadër të studimit, një pacient ka marrë tashmë dozën e parë të këtij ilaçi.

NEO-811 i përket një kategorie të re barnash të quajtura “ngjitës molekularë”, të përbëra nga molekula të vogla që detyrojnë ndërveprimin mes proteinave që shkaktojnë sëmundjen dhe enzimave shkatërruese të trupit. Si rezultat, qelizat kancerogjene nxisin procesin e vetëshkatërrimit, duke penguar përhapjen e sëmundjes.

Ndryshe nga kimioterapia tradicionale, e cila sulmon drejtpërdrejt qelizat e kancerit, kjo metodë e re e orienton organizmin që të eliminojë vetë proteinat e dëmshme, duke i “etiketuar” ato si mbetje. Sipas Neomorph, kjo qasje mund të reduktojë efektet anësore afatgjata të trajtimeve klasike, si dëmtimi i organeve, neuropatia, infertiliteti apo zhvillimi i kancereve të tjera.

Qëllimi i provës klinike është të vlerësohet efektiviteti i NEO-811 tek pacientët me ccRCC të avancuar dhe të paoperueshëm. Drejtori ekzekutiv dhe themeluesi i Neomorph, Dr. Phil Chamberlain, tha se rezultatet e para të studimit priten më vonë gjatë këtij viti.

“Kjo shënon një moment kyç për Neomorph dhe përfaqëson vlerësimin e parë klinik të një produkti të zhvilluar plotësisht nga platforma jonë,” tha ai në një deklaratë për shtyp. “Të dhënat që do të gjenerojmë do të udhëheqin zhvillimin e mëtejshëm të NEO-811 dhe do të konfirmojnë potencialin e teknologjisë sonë për pacientët me nevoja të mëdha të paplotësuara.”

Kanceri i veshkave prek rreth 80 mijë amerikanë çdo vit dhe shkakton rreth 15 mijë vdekje, duke e bërë atë kancerin e shtatë më të përhapur në SHBA. Forma ccRCC përbën rreth 80 për qind të rasteve dhe zakonisht diagnostikohet tek personat mbi 60 vjeç.

Neomorph ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje prej 1.6 miliardë dollarësh me gjigantin farmaceutik AbbVie, si dhe bashkëpunime me Novo Nordisk dhe Biogen, për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj teknologjie. Kompania po shqyrton gjithashtu zgjerimin e kërkimeve në lloje të tjera tumorësh.

Ende nuk dihet se kur më shumë pacientë do të përfshihen në studim dhe kur saktësisht do të publikohen rezultatet përfundimtare.