1 vit nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Kosova pa institucione funksionale dhe me qeveri në detyrë
Një vit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova mbetet pa institucione funksionale dhe me një qeveri në detyrë, situatë që sipas njohësve të zhvillimeve politike dhe juridike ka prodhuar pasoja serioze si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Për shkak të krizës politike, Kosova nuk mundi të formojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të 9 shkurtit, çka prodhoi zgjedhje të sërishme më 28 dhjetor. Pavarësisht kësaj, vendi është pa Kuvend të konstituuar dhe qeveri me mandat të plotë, pasi ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit.
Hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Ema Pula, thotë për KosovaPress, se funksionimi me qeveri në detyrë përgjatë një viti ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin normal të shtetit.
Sipas saj, gjatë kësaj periudhe ka pasur ngecje të reformave dhe pamundësi për miratimin e ligjeve të rëndësishme. Ajo përmend se sipas Ligjit për Qeverinë, një qeveri në detyrë nuk ka mandat për të miratuar ligje apo akte nënligjore, çka ka bërë që nisma të rëndësishme të mbesin të bllokuara.
“Një qeveri e tillë ka kompetenca të kufizuara. Rrjedhimisht kjo ndikon edhe në funksionimin e mirëfilltë të një vendi. Më saktësisht, përgjatë kësaj periudhe Kosova ka pasur pasoja qoftë në nivelin ndërkombëtar, po edhe gjithashtu pasoja shumë serioze në aspektin e brendshëm. Në nivelin ndërkombëtar është dobësuar pozita jonë, po në të njëjtën kohë është stagnuar edhe agjenda e Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ndërsa në nivelin e brendshëm ka pasur stagnim të reformave, të inicimit të ligjeve shumë të rëndësishme apo të agjendës legjislative. Qeveria, sipas ligjit në fuqi, nuk mund të bëjë miratimin e qoftë ligjeve apo akteve të tjera nënligjore përcjellëse. Prandaj kjo ka sjellë pasoja, duke qenë se ligje shumë të rëndësishme siç janë Ligji i Punës, Ligji për Prokurimin Publik, Kodi Civil e shumë të tjera, kanë mundur të miratohen, por fatkeqësisht për shkak të kësaj periudhe të mosfunksionimit të mirëfilltë të institucioneve, në këtë rast të qeverisë, ka qenë e pamundshme”, thotë ajo.
Krahas pasojave në nivel të brendshëm, publicisti Melazim Koci thotë se kriza institucionale njëvjeçare e ka dëmtuar rëndë Kosovën edhe në rrafshin ndërkombëtar. Sipas tij, si një demokraci në tranzicion, Kosova ka nevojë të dëshmojë stabilitet dhe funksionalitet para bashkësisë ndërkombëtare, gjë që nuk ka ndodhur gjatë kësaj periudhe.
“Kjo e ka dëmtuar shumë Kosovën, sidomos në rrafshin ndërkombëtar. Ne jemi demokraci në tranzicion, po të ishim demokraci e etabluar kjo nuk do të ishte ndonjë tragjedi. Ne jemi demokraci në tranzicion që duhet të dëshmohet para botës. Kjo ka ulur kredencialet e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Mendoj se kriza njëvjeçare ka qenë pasojë e vakumit juridik në Kushtetutë që është shfrytëzuar nga forcat politike në Kosovë për ta zvarritur procesin. Kjo nuk e arsyeton klasën tonë politike, nuk e arsyeton që Kosovën ta mbajë një vit me qeveri pa kompetenca të plota. Kemi dëme edhe në kredibilitetin ndërkombëtar, por kemi humbje edhe në rrafshin e brendshëm për shkak të humbjes së fondeve të caktuara nga BE-ja. Është momenti që klasa politike të harrojë interesin e ngushtë partiak dhe të tregohet pak më zemërgjerë dhe të shohë interesin e përgjithshëm. Interesin e Kosovës”, deklaron Koci.
Ndërkohë, Pula ngre shqetësime edhe për mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga qeveria në detyrë, duke thënë se në disa raste ka pasur mospërfillje të Ligjit për Qeverinë dhe tejkalim të kufizimeve ligjore.
Qeveria në detyrë përgjatë kësaj periudhe ka ndarë në mënyrë të njëhershme nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe fëmijët, po ashtu ka marrë vendim për ngritjen e pagës minimale, si dhe disa vendime të tjera.
“Atëherë, në shumë raste kemi pasur mospërfillje të Ligjit për Qeverinë nga ana e qeverisë, pra në ushtrimin e kompetencave, duke qenë se qeveria ka kompetenca të kufizuara në këtë moment që po flasim. Po në të njëjtën kohë, duke u thirrur edhe në parimet e demokracisë, transparencës dhe llogaridhënies, nuk do të duhej të ndërmerrte disa veprime që i ka ndërmarrë gjatë kësaj kohe. Ka pasur tejkalim, ka pasur mospërfillje, duke përfshirë këtu edhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme”, shton Pula.
Në korrik të vitit 2025, Gjykata Supreme kishte hedhur poshtë një udhëzim administrativ për arkat fiskale nga ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Sipas aktgjykimit të saj, ministrat që janë edhe deputetë nuk mund të nxjerrin akte nënligjore, pasi kjo bie ndesh me dispozitat kushtetuese.
Në anën tjetër, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje, e cila edhe aktualisht udhëheq me qeverinë në detyrë, ka fituar mbi 51 për qind të votave. E njëjta ka fituar 57 deputetë në Kuvend dhe së bashku me minoritetet jo serbe mund ta formojë qeverinë.

