75 Mall Live Search
23:53 / E Hënë, 09 Shkurt 2026 / F.R

I arrestuari në Merdare me 7 kilogramë marihuanë është rapsodi kosovar

Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 7 kilogramë marihuanë dhe ka arrestuar një person të dyshuar në pikën kufitare të Merdarës, si rezultat i një aksioni të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, i cili ishte paraprirë nga hetime disa javore.

Gjatë kontrollit të një veture me targa të huaja, e drejtuar nga një mashkull kosovar, policia ka gjetur dhe konfiskuar rreth 7 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me vlerë tregu rreth 35 mijë euro. 

Burime të Indeksonline kanë pohuar se i dyshuari është Pren Berisha nga Klina, i njohur për publikun si rapsod kosovar.

Pas arrestimit në Merdare, në koordinim me Prokurorinë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, është realizuar edhe kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit në Prizren.

Gjatë këtij kontrolli janë sekuestruar prova të shumta materiale. Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./IndeksOnline/