Drejtori i Institutit Sizmologjik: Kosova zonë sizmike, mund të kemi tërmet deri në 6.5 ballë të Rihterit
Drejtori i Institutit Sizmologjik, Shemsi Mustafa, ka folur në lidhje me tërmetin e sotëm që goditi Kosovën.
Ai tha se ky tërmet është i madhësisë së mesme, por shtoi se qytetarët janë frikësuar.
“Tërmeti ishte i madhësisë 4.8 të shkallës së Rihterit. Epiqendra ishte 22-23 km në Lindje të Prizrenit, afër Shtërpcës. Ishte tërmet me madhësi që krijoi panik dhe shqetësim për qytetarët e Kosovës, kishte madhësi mesatare, por qytetari mendon se është tërmet shumë i fuqishëm”, u shpreh Mustafa në Klan Kosova.
Ai tha se zona e Prizrenit është zonë sizmike, e cila ka gjeneruar tërmete në të kaluarën, por mund të gjenerojë tërmete edhe më të mëdha në të ardhmen.
“Dihet mirë se Prizreni është goditur më parë nga një tërmet të shkallës 6.8. Të gjithë qytetarët duhet ta dinë se territori i Kosovës është zonë sizmike. Janë disa zona që mund të goditen me tërmete më të fuqishme, e disa me më të ulët. Janë tri zona që mund të goditen me tërmete me magnitudë maksimale 6.5 të shkallës së Rihterit. Ne duhet gjithherë t’u referohemi katalogut historik”.
“Duhet t’u referohemi hartave të rrezikut sizmik sepse janë studim që janë llogaritur shumë parametra, siç është katalogu historik që është parametri kryesor, pastaj është tektonika, neotektonika, sizmotektonika, topografia e informacionit gjeologjik, dhe me të gjithë këta parametra të llogaritur përpilohen hartat e rrezikut sizmik që e japin me periudha përsëritëse për një tërmet të mundshëm dhe me probabilitet. Dhe faktikisht, bazuar në hartën e rrezikut sizmik, me probabilitet 72.6% mund të goditet Kosova në periudhën përsëritëse 100 vite me një magnitudë 6.5 të shkallës së Riterit. Këtë informatë duhet ta dinë të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi Mustafa.

