75 Mall Live Search
12:06 / E Mërkurë, 11 Shkurt 2026 / MSH1

Seanca e sotme/ Sindikata e punëtorëve të RTK-së ka një kërkesë urgjente për deputetët

Sindikata e punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës iu është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me një letër urgjentë, përmes së cilës kërkon trajtim të kërkesave të punëtorëve.

Sindikata ka kërkuar që çështjet jetike të këtij institucioni të trajtohen me prioritet dhe përgjegjësi të plotë, shkruan IndeksOnline.

“SPERTK-ja kërkon që paga e 13-të për punëtorët e RTK-së të realizohet përmes rritjes së buxhetit të institucionit, në përputhje me vendimin e marrë për gjithë sektorin publik. RTK funksionon mbi bazën e një ligji të veçantë dhe nuk mund të trajtohet si institucion periferik apo dytësor.

Me miratimin e buxhetit për vitin 2026, kërkojmë rritje reale të buxhetit të RTK-së, sepse buxheti aktual është i pamjaftueshëm për funksionimin normal të shërbimit publik medial dhe për përmbushjen e obligimeve ndaj punëtorëve” thuhet në letrën e Sindikatës.

Tutje, bëhet e ditur se RTK-ja ndodhet në një situatë seriozë institucionale, gjë për të cilën kërkon zgjidhje nga Kuvendi.

Ky është njoftimi i plotë:

Sot pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, themeluesit të Radiotelevizionit të Kosovës. Në këtë moment të rëndësishëm institucional, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon që çështjet jetike të këtij institucioni të trajtohen me prioritet dhe përgjegjësi të plotë.

SPERTK kërkon që paga e 13-të për punëtorët e RTK-së të realizohet përmes rritjes së buxhetit të institucionit, në përputhje me vendimin e marrë për gjithë sektorin publik. RTK funksionon mbi bazën e një ligji të veçantë dhe nuk mund të trajtohet si institucion periferik apo dytësor.

Me miratimin e buxhetit për vitin 2026, kërkojmë rritje reale të buxhetit të RTK-së, sepse buxheti aktual është i pamjaftueshëm për funksionimin normal të shërbimit publik medial dhe për përmbushjen e obligimeve ndaj punëtorëve.

RTK ndodhet në një situatë serioze institucionale: të gjitha pozitat drejtuese janë me ushtrues detyre, gjë që ka paralizuar vendimmarrjen dhe ka krijuar pasiguri funksionale dhe menaxheriale. Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë.

Sindikata kërkon nga Kuvendi i Kosovës që, pa humbur kohë, të emërojë Bordin e ri të RTK-së. Zvarritja e këtij procesi po i shkakton dëm të drejtpërdrejtë institucionit, punëtorëve dhe vetë misionit publik të RTK-së.

Njëkohësisht, pas themelimit të Komisionit për Media, kërkojmë që përmes mekanizmave ligjorë të rritet vëmendja institucionale ndaj RTK-së si shërbim publik me rëndësi strategjike për informimin e qytetarëve.

RTK përballet edhe me mungesë serioze të stafit. Në shumë sektorë ka vende të zbrazëta për shkak të pensionimeve, ndërsa disa njësi funksionojnë nën minimumin e nevojshëm të punëtorëve. Kjo situatë rrezikon cilësinë e programit dhe dëmton drejtpërdrejt interesin publik.

Nëse institucionet përgjegjëse nuk ndërmarrin hapa konkretë dhe nuk adresojnë këto kërkesa në mënyrë të menjëhershme, SPERTK do të detyrohet që, në përputhje me ligjin, të ndërmarrë masa sindikale, përfshirë edhe organizimin e grevës.

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe stabilitetin e shërbimit publik.