Kurti me zotime: Ligji do të zbatohet pa frikë dhe pa favore gjithandej
Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, në cilësinë e mandatarit për kryeministër nga foltorja e Kuvendit është zotuar për refomën në drejtësi dhe që sipas tij do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit, dhe zbatimin e ligjit pa frikë e pa favore.
Kurti nga aty premtoi se përgjatë katër viteve në vazhdim do të investojmë rreth 1 miliard euro në prodhim përmes garantimit të kredive për investitorët.
“Në këtë mandat reforma në drejtësi do të hyjë në fazën e saj vendimtare, do të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe ligji do të zbatohet pa frikë dhe pa favore gjithandej Republikës. Reforma në drejtësi nuk ka qenë vetëm synim, ajo ka nisur të bëhet realitet. Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme duhet të ecë përpara së bashku me vetingun, ashtu që drejtësia të bëhet edhe e drejtë, edhe e shpejtë, edhe e besueshme. Do të themelohet prokuroria e re e specializuar për çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zyra për hetime disiplinore. Do të thellohet reforma në transformimin digjital, çdo qytetar duhet të ketë mundësinë të komunikojë me shtetin pa barriera, në mënyrë të shpejtë, efikase dhe transparente, që nga aplikimi për dokumente, deri te shërbimet sociale dhe biznesore. Digjitalizimi është mjet për t’i shërbyer çdo qytetari dhe do të përdoret për progres shoqëror, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, llogaridhënie të gjerë dhe cilësi të lartë. Në mandatin që po lëmë pas eksportet dhe investimet e huaja direkte u dyfishuan, por tani është koha të shumëfishohet prodhimi. Përgjatë katër viteve në vazhdim do të investojmë rreth 1 miliard euro në prodhim përmes garantimit të kredive për investitorët”, tha ai.

