75 Mall Live Search
11:48 / E Enjte, 12 Shkurt 2026 / F.R

Zvicra do të hedhë në votim propozimin për të kufizuar popullsinë në 10 milionë

Zvicra do të votojë këtë verë për një propozim nga partia e ekstremit të djathtë Partia Popullore Zvicerane (SVP) për të kufizuar popullsinë e vendit në 10 milionë banorë, një veprim që do të kërcënonte marrëveshjet kryesore me BE-në dhe, sipas kundërshtarëve, do ta dëmtonte rëndë ekonominë.

Qeveria ka njoftuar të mërkurën se referendumi për iniciativën e SVP-së “Jo një Zvicër me 10 milionë” e cila kundërshtohet fuqishëm nga të dy dhomat e parlamentit si dhe nga komuniteti i biznesit dhe i shërbimeve financiare, do të mbahet më 10 qershor.

Nëse miratohet, iniciativa do ta detyronte qeverinë dhe Parlamentin zviceran të vepronin nëse popullsia e përhershme e vendit prej 9.1 milionë banorësh kalon 9.5 milionë, duke refuzuar hyrjen e të ardhurve të rinj, përfshirë azilkërkuesit dhe familjarët e rezidentëve të huaj.

Nëse popullsia arrin në 10 milionë, do të hynin në fuqi kufizime të mëtejshme, dhe nëse numri i banorëve nuk fillon të ulet, qeveria do të detyrohej të tërhiqej nga marrëveshja e lëvizjes së lirë që ka me BE-në, e cila është tregu më i madh i eksportit për Zvicrën.

Popullsia e Zvicrës është rritur rreth pesë herë më shpejt se mesatarja në shtetet fqinje anëtare të BE-së gjatë dekadës së fundit, pasi suksesi ekonomik i vendit ka tërhequr si punëtorë me kualifikim të ulët ashtu edhe të huaj me paga të larta në kompani ndërkombëtare.

Rreth 27% e banorëve të Zvicrës nuk janë shtetas zviceranë, sipas të dhënave qeveritare. SVP-ja, partia më e madhe politike në vend, thotë se “shpërthimi i popullsisë” po rrit qiratë dhe po e çon infrastrukturën dhe shërbimet publike në kufijtë e kapacitetit.

Partia, e cila ka dalë e para në çdo zgjedhje që nga viti 1999, ka bërë prej kohësh fushatë kundër imigracionit, duke theksuar krimet e kryera nga të huajt.

Ndryshimet radikale nacionaliste që ajo propozon shpesh, si një propozim i vitit 2016 për të dëbuar automatikisht emigrantët të shpallur fajtorë edhe për shkelje të vogla, dhe një plan i vitit 2020 për t’i dhënë fund lëvizjes së lirë me BE-në, zakonisht nuk kanë pasur sukses.

Sistemi i demokracisë direkte në Zvicër u lejon qytetarëve të propozojnë të ashtuquajtura iniciativa popullore, të cilat hidhen në referendum nëse mbledhin 100,000 mbështetës brenda 18 muajve. Ato janë një mjet i përdorur prej kohësh nga SVP-ja, por vetëm rreth 10% e iniciativave popullore miratohen.

Megjithatë, një sondazh në dhjetor zbuloi mbështetje të gjerë nga 48% e votuesve për iniciativën “Jo një Zvicër me 10 milionë”.