75 Mall Live Search
12:22 / E Enjte, 12 Shkurt 2026 / MSH1

Sorensenit i zgjatet mandati si emisar për dialogun Kosovë-Serbi

Këshilli i BE-së njoftoi dje se emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i është zgjatur mandati.

Në mbledhjen e këshillit u miratua vendimi për zgjatjen e mandatit të Sorensenit deri më 29 shkurt të 2028-s, raporton IndeksOnline.

“Përfaqësuesit specialë të BE-së propozohen nga Përfaqësuesja e lartë dhe emërohen nga këshilli për të promovuar politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende specifike, si edhe çështje me shqetësim ose interes të veçantë për BE-në. Ata luajnë një rol aktiv në përpjekjet për të konsoliduar reformat, stabilitetin dhe sundimin e ligjit”, thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së.

Sorensen u emërua si emisar i dialogut në janar të vitit të kaluar, si pasardhës i Miroslav Lajçakut.

Pas emërimit të danezit, BE-ja precizoi se detyrat e tij janë lehtësimi në dialog, i cili do të kontribuojë në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe në veçanti zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe zbatimin e aneksit.