Ekstradohen dy kosovarë, kërkoheshin me urdhërarrest ndërkombëtar
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë, me datën 11.02.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Gjermania për në Kosovë. Ai ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi që kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale: “Lëndim i rëndë trupor”.
I dyshuari, pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë për vazhdim me procedurat e tjera ligjore.
Po ashtu më 12.02.2026 është realizuar ekstradimi nga Kosova për në Gjermani i shtetasit kosovar, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë gjermane për përfshirje në veprat penale: “Vrasje në tentativë” dhe “Grabitje”.
Të dy ekstradimet u realizuan bazuar në ligjet në fuqi dhe marrëveshjeve në mes të dy vendeve, si edhe bashkëpunimit të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shtetit gjerman.
Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

