Lëshon pe Veton Berisha, ndjehet mirë që rivali i tij Elbert Krasniqi është bërë ministër
Veton Berisha e ka harruar rivalitetin politik me Elbert Krasniqin dhe do të jetë pjesë e Qeverisë Kurti 3.
Deputeti nga partia PLE ka thënë se ndjehet mirë që Elberti do të jetë ministër.
“Dje u votua dhe u bë konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Si deputet i Kuvendit të Kosovës kam votuar Kryetaren e Kuvendit, Kryesinë e Kuvendit dhe Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Në përbërjen e Qeverisë ka edhe një ministër nga komuniteti egjiptian. Ne ndihemi mirë që edhe në këtë mandat komuniteti egjiptian do të ketë përfaqësim në nivel qeveritar, pasi që kjo vazhdimisht ka qenë kërkesë e jonë, edhe pse ministri vjen nga një subjekt politik opozitar për ne.
Shpresojmë që në këtë mandat ky ministër do të punojë më shumë për interesat e komunitetit egjiptian , komuniteteve të tjera dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve tanë.
Po ashtu dua të bëj të ditur se Partia Liberale Egjiptiane- PLE do të jetë pjesë e Qeverisë si dhe do të inkorporoj programin politik me atë qeveritar, me përkushtim për të kontribuar në zhvillimin e vendit dhe avancimin e të drejtave të komunitetit tonë egjiptian” shkruan Veton Berisha në njoftim./Indeksonline/

