MPB-ja ia beson “Dukagjinit” sigurimin e objekteve milionëshe shtetërore, kontratë mbi 73 mijë eurosh
Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar kompaninë fituese të tenderit për sigurimin e 128 objekteve shtetërore, duke ia besuar këtë kontratë kompanisë së sigurimeve “Dukagjini”.

Kontrata parasheh mbulueshmëri 100 për qind të dëmeve që mund të shkaktohen nga rreziqe të ndryshme, përfshirë zjarrin, rrufenë, eksplodimet (përveç atyre nukleare), terrorizmin, tërmetin, stuhitë dhe erërat e forta, përmbytjet dhe vërshimet nga reshjet e shiut, borës apo breshërit.
Po ashtu, sigurimi përfshin dëmet nga pikjet e ujit përmes kulmeve, rrjedhjet nga instalimet që shkaktojnë dëme në hapësirat e ndërtesave, thyerjen e xhamave nga çfarëdo shkaktari, dëmtimet e pajisjeve elektrike dhe makinerike, si dhe rastet e rënies së fluturakeve ajrore.
Mbulimi përfshin edhe përgjegjësinë ndaj palëve të treta, sigurimin nga vandalizmi brenda dhe jashtë rrethojave të ndërtesave qeveritare, si edhe dëmtimet e rrethojave metalike apo mureve nga rrëshqitjet e dheut. Operatori ekonomik obligohet të bëjë sanimin 100 për qind të dëmeve, pavarësisht nëse ato ndodhin brenda apo jashtë rrethojës së objektit.
Në rastet e dëmtimeve me ngjyrë apo mbishkrime në mure dhe fasada, kompania duhet të kryejë sanimin brenda dy ditëve pune nga hapja e rastit. Gjithashtu, ajo ka për detyrë largimin e të gjitha mbeturinave të shkaktuara nga dëmet, përfshirë materialet ndërtimore, pajisjet elektromekanike, inventarin dhe xhamat e thyer, duke i dërguar në deponi jashtë objektit ku ka ndodhur dëmi.
Sigurimi mbulon edhe inventarin dhe mjetet e punës së zyrtarëve dhe kontraktorëve në ndërtesat qeveritare, përfshirë mobiliet, pajisjet teknologjike, dokumentacionin zyrtar dhe arkivat.
Lista e objekteve të përfshira në kontratë është e gjerë dhe përfshin Zyrën Qendrore të Kryeministrisë, disa ministri, pallatin e ish-“Rilindjes” si edhe agjenci të tjera shtetërore. Bëhet fjalë për objekte me vlerë milionëshe, të cilat, sipas kontratës, do të duhet të kenë siguri të plotë dhe mbrojtje të mjaftueshme nga çdo rrezik potencial.
Vlera e kontratës është mbi 73 mijë euro dhe mbulon një periudhë 12-mujore.
Lista e objekteve me vlerësimin:







